E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Programi i PD-së, Berisha: Heqim pagesat për rrugët, energjia me 7 lekë kilovati

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se programi i PD-së në 100 ditët e para u jep përgjigjen më të shkëlqyer problemeve më të mprehta të këtij vendi.

Në një takim me të deleguarit në qarkun e Tiranës, Berisha siguroi se në rast fitoreje të zgjedhjeve të 11 majit do të hiqet çdo pagesë në rrugët e vendit dhe energjia do të shitet me 7 lekë kilovati.

“Për stopet e rrugëve për pagesa do të shkojmë të firmosim kontratën. Zero pagesa! Javën e parë ato marrin fund, nuk mund të ekzistojnë më. Shqiptarët do udhëtojnë pa pagesë”, siguroi ai.

Po ashtu Berisha u ndal te premtimi për vendosjen e minimumit jetik 200 euro.

Sipas tij, “çdo pensionist dhe çdo qytetar me minimum jetik do marrë kartën e konsumatorit që është e barabartë me 450 mijë lekë në vit”.

“Edhe sikur një kilometër rrugë të mos ndërtohej në këtë vend 4 vite, kjo do bëhej. Por garantoj shqiptarët se do ndërtohet çdo kilometër rrugë dhe do ndërtohet më shumë. Shumë më tepër sesa është ndërtuar në 12 vitet e tyre. Në mënyrë absolute asnjë kilometër rrugë nuk do u kushtojë shqiptarëve më shumë se Kroacisë. Ndërsa sot shkon edhe 10 herë më shumë se sa Kroacia”, tha Berisha.

Për biznesin, Berisha premtoi ulje të taksave.

“Nuk është vetëm kjo. Energjia elektrike do shitet me 7 lekë kilovati, sepse sot hidrocentralet që janë ndërtuar, e kanë shndërruar Shqipërinë në vend eksportues të energjisë. Nafta nuk do mund shitet kurrë me çmim të ndryshëm më shumë se 10 për qind se çmimi në Kosovë dhe Maqedoni”, shtoi ai.

Po ashtu Berisha siguroi se PD është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për bashkëpunimin më të ngushtë të mundshëm me aleatin strategjik, partnerin kryesor, SHBA dhe administratën e presidentit Trump.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›