Programi i PS: 300 mijë vende pune dhe shpërblim progresiv për ish-të përndjekurit
Asambleja Kombëtare e PS-së miraton programin prej 31 faqesh, që më shumë se politik është program qeverisës për zgjedhjet e 2013-ës. PS-ja premton skemë të re pensionesh, legjislacion të ndryshuar për pronarët, dëmshpërblim progresiv për të përndjekurit, heqjen e taksës së sheshtë, ulje të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, pesëfishim të financimit publik për bujqësinë, heqjen e taksës për ilaçet dhe reformim të shërbimit diplomatik
Nën moton për një Rilindje të re Shqiptare, Asambleja Kombëtare e PS-së miratoi dje në parim katër shtyllat e programit politik të saj: rimëkëmbja e ekonomisë, rivendosja e demokracisë, ripërtëritja e shoqërisë dhe ribashkimi i Shqipërisë me Europën. Përmbajtja e dokumentit prej 31 faqesh, që pritet të konsultohet me bazën për të pësuar ndryshime të tjera deri në kongresin e fundjavës, i ngjan më shumë një programi qeverisës, sesa atij politik. Një program ambicioz, që citon që në rreshtat e parë synimet e socialistëve në rast të marrjes së pushtetit në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.
Rimëkëmbja e ekonomisë
Ristrukturimi i plotë i ekonomisë shqiptare për Partinë Socialiste konsiderohet një domosdoshmëri thelbësore e po aq edhe çështja e pronës. Për këtë të fundit, si zgjidhje, socialistët premtojnë bashkëpunim me pronarët për të zbatuar një kuadër të ri ligjor, që nga njëra anë respekton të drejtat e pronarëve dhe nga ana tjetër siguron drejtësi sociale për kategoritë e tjera të popullsisë. Sa i përket politikave fiskale, PS-ja premton përmes programit të miratuar dje se do të çinstalojë sistemin e referencave, që do të thotë se sipërmarrësit do të jenë të lirë të vetëdeklarojnë dhe nuk do të penalizohen nga referenca e numrit të individëve të punësuar, nivelit të pagave etj. Ekspertët e PS-së sqarojnë gjithashtu se zbatimi i pagave referuese dhe vendosja e taksës së sheshtë nuk e ul koston e punës, por përkundrazi pakëson nivelin nominal të të ardhurave nga puna, duke premtuar se do të jenë pro heqjes së tyre. PS-ja premton se me ardhjen në pushtet do të krijojë 75 mije vende te reja pune çdo vit dhe do të synojë punësimin me përparësi të grave dhe vajzave. Të gjithë të papunëve të regjistruar do t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda 2 viteve. Parimi i PS-së është se rishpërndarja funksionon përmes progresivitetit, andaj kush është më i pasur, për partinë më të madhe në opozitë, do të ketë një barrë fiskale më të lartë sesa një më i varfër. Socialistët do të kërkojnë gjithashtu që drejtimi i Institutit të Statistikave të jetë nën kontrollin direkt të Kuvendit. PS-ja premton përmes programit se me ardhjen në pushtet të saj do të shfuqizohen të gjitha lejet koncesionare për vepra hidro-energjetike, që nuk kanë respektuar afatet ligjore. PS-ja do të rishikojë gjithashtu të gjitha kontratat e partneritetit publik-privat. Lidhur me infrastrukturën, PS-ja premton ndër të tjera ndërtimin e një porti të ri tregtar, ndërsa për një Shqipëri të pastër ajo do të vendosë në mënyrë kategorike ndalimin e importit të mbeturinave
Ripërtëritja e shoqërisë
Socialistët premtojnë jo më pak se 5% të PBB për reformat në arsim. Me ardhjen në pushtet, socialistët premtojnë se do të vënë në funksion Sistemin e Pavarur të Vlerësimit dhe Renditjes së Shkollave të Larta. Sa i përket reformës në shëndetësi, PS-ja angazhohet për heqjen e taksës prej 10% mbi shërbimin shëndetësor dhe heqjen e taksës për ilaçet. Socialistët kanë përfshirë në programin e tyre edhe një tjetër politike sociale. Personat mbi 75 vjeç, do të kenë të garantuar një përfitim social, pavarësisht historisë së tyre të punësimit dhe se pensionet në përgjithësi nuk do të jenë më të ulëta se 40% e të ardhurave mesatare të viteve të punës. Socialistët vlerësojnë gjithashtu sakrificat dhe vuajtjet e të përndjekurve politikë nën regjimin komunist. PS-ja propozon një skemë të re kompensimi për ta, që përfshin zgjerimin e grupit të përfituesve, por edhe zbatimin e shpërblimit progresiv, në varësi të viteve të dënimit. Dëmshpërblimi për të përndjekurit mbi moshën 75 vjeç do të kryhet brenda një viti. Socialistët premtojnë gjithashtu përballimin e të gjitha shërbimeve publike për ish-të përndjekurit. Falas gjithashtu do të jenë edhe shërbimet publike për veteranët. Sa i përket legalizimit të ndërtimeve informale, socialistët premtojnë përfundimin e menjëhershëm, ndërkohë që shohin po aq të nevojshme edhe urbanizimin e këtyre zonave. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, socialistët do të kërkojnë jo vetëm reduktim të imunitetit, por edhe pezullim të funksionit publik për çdo zyrtar që përballet me drejtësinë. Socialistët i kanë kushtuar rëndësi në program edhe lirisë së mendimit dhe besimit, duke theksuar se shteti dhe shkolla shqiptare publike duhet të mbetet laike.
Partneriteti me Europën
PS-ja angazhohet gjithashtu për një kurs reformash radikale me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Socialistët do të kërkojnë ndryshim rrënjësor të shërbimit diplomatik, duke e cilësuar atë aktualin si një shërbim që udhëhiqet krejtësisht nga interesat partiake dhe jo kombëtare. Në rast të marrjes së pushtetit, PS-ja do të rishikojë edhe praninë diplomatike në botë, bazuar mbi interesat politike, ekonomike dhe kulturore të vendit.
Ripërtëritja e ekonomisë
300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës
Anulim të gjitha koncesioneve të paligjshme; rikthimi i transparencës në procedurat e tenderave
Ulje e kostos së jetesës për 95% të popullsisë, duke hequr barrën e taksës së sheshtë dhe duke vendosur drejtësi përmes tatimit progresiv
Pesëfishim i financimit publik për bujqësinë
Ulje e TVSH për produktet ushqimore bazë
Heqje e sistemit të referencave
Zgjidhje përfundimtare e çështjes së pronës
Infrastrukturë moderne që mbështet zhvillimin dhe afron Shqipërinë me Europën
Shqipëri pa plehra brenda mandatit të parë qeverisës, mjedis i pastër për sot dhe të ardhmen
Hartim dhe miratim i planit të përgjithshëm kombëtar dhe masterplanit kombëtar për zhvillimin e turizmit
INSTAT nën kontrollin e Kuvendit
Ripërtëritja e Shoqërisë
Shërbim shëndetësor universal dhe solidar për të gjithë
Pagë minimale dhe minimumi jetik i garantuar; pensione jo më të ulëta se 40% e pagës mesatare
Ujë të pijshëm dhe kanalizime, energji elektrike dhe internet të arritshëm dhe të përballueshëm për të gjithë
Buxheti i arsimit 5% e PBB; sistem i pavarur për vlerësimin dhe renditjen e shkollave të larta
Përfitim shtatzënie për çdo nënë që lind fëmijë
Pension social për çdo shqiptar në moshën 75-vjeçare, pavarësish historisë së punësimit
Status social dhe ekonomik për veteranët e luftës dhe ish-të përndjekurit politik
Stop punësimit të të miturve
Mbrojtje e konsumatorëve nga çmimet abuzuese
“Një shtet-një Polic” në mbrojtje të jetës, lirisë dhe pronës nga krimi
Rivendosje e demokracisë
Përmbushje e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme
Shkurtim i afatit të gjykimit të çështjeve
Çmontim i sistemit të korrupsionit dhe kulturës së pandëshkueshmërisë
Administratë publike e depolitizuar
Rigjallërim i autonomisë vendore dhe decentralizim i plotë fiskal
Përmirësim i legjislacionit dhe masave financiare që rregullojnë veprimtarinë e OJF-ve
Ndal dhunës qeveritare ndaj medias së pavarur dhe piraterisë televizive; transformim rrënjësor i TVSH-së
Ribashkim me Europën
Partneritet strategjik me SHBA-në dhe BE-në
Përmbushje të angazhimeve që burojnë nga anëtarësimi në NATO
Marrja sa më e shpejtë e statusit të vendit kandidat, çelje e bisedimeve për anëtarësim në BE
Fond i posaçëm për specializimin e administratorëve të rinj në çështjet europiane
Reformë e thellë në shërbimin diplomatik; rishikim i pranisë diplomatike të Shqipërisë në botë
Reformë në shërbimin konsullor
Votim në distancë për emigrantët dhe studentët jashtë vendit
Programe edukuese në TVSH 2, me qëllim arsimimin e fëmijëve të emigrantëve