PD: Rama i pabesueshëm në ato që thotë
TIRANË Vetëm pak orë pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Partia Demokratike ka reaguar përmes zëdhënëses Albana Mustafaraj. Kjo e fundit deklaroi dje se Rama është i pabesueshëm në ato që thotë. “Ai foli për një vend të pastër, por politikat e tij të dështuara si kryebashkiak i Tiranës bënë që Tirana të jetë qyteti më i ndotur në Shqipëri. Ai foli për dhënien fund të monopoleve, por mandati i tij i dështuar si kryebashkiak i Tiranës çoi në krijimin e kartelit të lejeve të ndërtimit. Ai foli për rritjen ekonomike, por si kryebashkiak ai nuk bëri asgjë për rritjen ekonomike, por rriti taksat në nivel rekord. Ai foli për progres, por si lider i opozitës ai ka bërë ç’ka mundur për të bllokuar progresin e Shqipërisë. Ai foli me një ton të ri, por përsëri sulmet ishin ato të vjetrat, të lodhura. Ai pretendoi se kishte ide të reja, por ishte po ajo retorikë e vjetër, e lodhur”, - tha Mustafaraj. Ajo shtoi se fjala e Ramës ishte e njëjta gjë, duke iu shmangur shpjegimit se “pse po bllokon votimin e ligjeve të pakundërshtueshme dhe pse po mban peng progresin”.