“Programi i PS, ceremoni varrimi e ekonomisë shqiptare”
Ministri Imami prezanton në Cërrik kandidaten për deputete, znj. Arbjola Halimi
Nga qyteti i Cërrikut ku dhe prezantoi kandidaten për deputete në këtë qytet, Arbjola Halimi, kryesuesi i zgjedhjeve të PD në qarkun e Elbasanit, z. Arben Imami e vuri theksin tek rritja e punësimit si një nga prioritetet kryesore të PD në katër vjeçarin e ardhshëm. “Kjo zonë ky komunitet për herë të parë ka një përfaqësues që të jetë prej këtu, një përfaqësues i vendit, që njeh njerëzit, njeh problemet, por më konsideroni edhe mua një deputet tuajin të qytetit të Cërrikut. Sepse unë dua që bashkë me Arbjolën në disa zona të qarkut që kanë më shumë probleme të angazhohemi më shumë, më fort, në mënyrë që të rrisim punësimin mirëqenien, investimet në këtë lagje të qytetit të Cërrikut. Kur votoni për Arbjolën votoni për Sali Berishën, për më shumë punë, për më shumë mirëqenie dhe për integrim, për qeverisjen e PD. Ne kemi ide të qarta për Cërrikun, ky qytet që u ndërtua si qytet industrial e ka një të ardhme si një qytet industrial, ne jemi në procedura që rafineria të futet në punë sa më shpejt. Ka perspektivë ka të ardhme, sepse ne e kemi parapërgatitur këtë të ardhme. Ne gjatë gjithë këtyre viteve e kemi shtuar dhe shumëfishuar prodhimin e naftës në Shqipëri, ka shumë kompani të huaja të cilat sot nxjerrin mbi një milion ton naftë, e cila duhet të përpunohet, qoftë për këtu qoftë për eksport, prandaj kjo traditë kjo përvojë veçanërisht e banorëve të Cërrikut, është e vlefshme për mirëqenien e Cërrikut edhe më gjerë. Ardhja e rrugës që shkurton distancën dhe kohën sipas Imamit nuk do ti kushtojë transporti nga Cërriku në Tiranë duke ulur kështu koston, për vajzat dhe djemtë që shkojnë në shkollë, por edhe për ata që do të duhet të punojnë në Tiranë dhe anasjelltas, që do të thotë hapja e punës në këtë zonë. Hapja e kësaj rruge do të sjellë perspektivë, dhe ne duhet të jemi krenar për këtë”, tha Imami duke përmendur edhe një herë investimet ne hidrocentralet e Banjës. Sipas Imamit “rritja e punësimit është një nga arsyet që ne kemi shkurtuar shpenzimet administrative, por kemi rritur rrogat e mësuesve e mjekëve, në mënyrë që fëmijët që shkojnë në shkollë të kenë një arsim të mirë, çdo qytetar të gjejë një shërbim të mirë shëndetësor, kemi probleme por jemi në zgjidhjen e tyre”, tha Imami duke e vënë theksin tek kriza botërore, e cila nuk e preku Shqipërinë. Sipas Imamit “janë 9 miliard dollarë që kemi mbledhur këto vite më tepër se ç’kishte mbledhur PS, dhe këto kanë ardhur me rrugë, kanalizime, shkolla qendra shëndetësore, si edhe me infrastrukturën rurale”. “Cërriku dhe Elbasani është në mes të një rrjedhe rruge që do ta kishte zili çdo vend i përparuar. Duke u ndalur tek programi i PS në veçanti ai i Edi Ramës, Imami tha se “ne jemi rruga e mbarë, rruga që e çan tunelin nga Elbasani në Tiranë”. “Rruga tjetër është rruga e bllokimit të tunelit, është rruga që i nxori kartonat e kuq në parlamentin shqiptar për të mos u ndërtuar tuneli. Rama propozon taksa të larta dhe taksa progresive mbi të ardhurat, sepse Rama thotë se në Shqipëri ka njerëz që marrin rroga të larta shumë, le të lejmë 300 njerëz që mund të marrin një rrogë të lartë. Rama propozon taksë progresive dhe taksë të lartë, por ne e dimë, kemi një përvojë. Ne në vitin 2005 ulëm taksat 10 përqind, në mënyrë që biznesmenët t’i paguanin këto taksa jo t’i vidhnin, ne kemi interes që paraja të vijë në pushtet sepse nëse vjen në pushtet investohet për ju. Biznesit i intereson të paguajë 10 përqind në arkën e shtetit sesa ryshfet në xhepat e zyrtarit”- tha më tej Imami, duke sjellë në vëmendje se, “ajo që propozon Rama është rritje e taksave, heqje e koncesioneve, largim i këtyre kompanive nga puna, shkurtim i vendeve të punës, duke u rritur taksat disa biznesmenë nuk do të paguajnë, si Koço, i cili e ka vjedhur këtë shtet”. “Këta janë për të rrjepur, këta nuk janë socialistë këta janë specialistë. Nuk do të paguajnë biznesmenët por do të paguajnë tek Edi tek Iliri, por ai që paguan nga 10 përqind ku do t’i gjejë dhe do të detyrohen t’i shkurtojnë, do të shkurtojnë vendet e punës, kjo është të futesh në krizë. Ky nuk është programi i rilindjes shqiptare, por programi i varrosjes së ekonomisë shqiptare në krizën që ka rrëmbyer Europën. Kjo parti që ka një program fantazmagorik dhe nuk shikon që Shqipëria ka ndryshuar nuk shikon se çfarë ndodh në Belsh, në Pekisht i cili është një fshat europian sot, nesër do të jetë edhe Lagja 3 e Cërrikut, si një qytet europian”, tha Imami. Në fund ai tha se “një nga perspektivat e këtij qyteti është se do të bëjmë përpjekje maksimale që të aktivizojmë tokën bujqësore, si një mundësi për rritjen e vendeve të punës”.
Imami, takim me banorët e zonës së Krastës, Elbasan: “Katër vjeçarin e ardhshëm, Shqipëria me infrastrukturë moderne”/Gjatë një takimi me banorët e Zonës së Krastës në periferi të qytetit, i shoqëruar edhe nga deputeti Ardjan Turku, kryesuesi i zgjedhjeve të PD në qarkun e Elbasanit Arben Imami, pasi ka ngritur lart figurën e Turkut i cili kandidon në këtë zonë është ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Imamit “ këtë punë që kemi nisur këto tetë vite ta çojmë përpara dhe vetëm përpara. 23 qershori është një ditë e rëndësishme pasi do të shkojmë drejt integrimit, integrimi nuk është fjalë, është pasaportë europiane, shkolla europiane, integrimi është rritje e investimeve në Shqipëri, apo do të ndjekim rrugën e bllokimit? Do të shkojmë në rrugën e tunelit, apo do të vendosim kartonin e kuq siç e vendosën deputetët e Elbasanit kundër këtij tuneli. Ishte kartoni i kuq i Edi Ramës që u ngrit kundër kësaj vepre të madhe e cila do të sjellë punë, do të lehtësojë komunikimin, do të ulë koston e transportit, por do të rrisë shumë mundësitë e zhvillimit dhe të punësimit në Elbasan. Në të gjithë këto vite ne kemi ndjekur një politikë shumë të kujdesshme për të kursyer paratë tuaja duke shkurtuar shpenzimet, tha Imami, duke shtuar se kemi shtuar investimet publike në këtë vend, siç është rruga Durrës Kukës dhe rruga Elbasan - Tiranë, që sipas Imamit krahas tyre janë me mijëra rrugë që janë bërë në mbarë vendin. Ndërsa vlerësoi qarkun e Elbasanit që ka marrë më shumë investime në katër vitet e fundit Imami shtoi se “janë dy modele krejtësisht të ndryshme, duam të shtojmë punësimin apo të ulim punësimin, duam të dalim nga kriza apo të biem në krizë, tha Imami i cili krahasoi në këtë mënyrë programin e PD me atë të PS. Ashtu sikundër e vuri theksin edhe tek kriza në Europë, ndërsa sipas Imamit shqipëria nuk e ka ndjerë këtë krizë. “Nuk është program i Rilindjes me taksën progresive në krizën që ka mbërthyer sot Europën, është ceremoni varrimi e ekonomisë shqiptare. Modeli ynë është model i mirë është model i mbarë, tha Imami, duke shtuar se “me taksat ne kemi investuar dhe do të investojmë, por nëse ne do t’i kishim rritur këto taksa nuk do të ishte e mundur që të vinte njeri të investonte në Shqipëri”. “Me një politikë të taksave të ulëta, me një politikë të licencimit dhe të dhënies me koncesion në rrugë sa më të favorshme për biznesin, u bë e mundur që janë 100 e ca hidrocentraleve duke u ndërtuar 50 prej të cilëve kanë mbaruar punë, kurse ky i Devollit është një gjigant energjie që do ta bëjë trevën e Elbasanit një nga prodhuesit kryesor të energjisë në vend. Elbasani i ka të gjitha kushtet për t’u zhvilluar. Por nëse do të shkonim në rrugën e kundërt të rritjes së taksave ne nuk do t’i kishim këto biznese këto kompani të huaja. Ky është modeli i qëndrueshmërisë ekonomike, ky model bën të mundur që ne të rrisim rrogat e pensionet, që të ulet pak papunësia, ky është një model që na jep të ardhme na jep siguri në familjet tona, të votojmë për këtë model, të votojmë Sali Berishën, ti themi jo Edi Ramës. Prandaj është i rëndësishëm 23 qershori për të gjitha këto arsye, është i rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi. Ne kemi mbyllur mbi 70 përqind të infrastrukturës baza, ne në katër vjeçarin e ardhshëm do ta mbyllim këtë infrastrukturë. Nëse Edi Rama nuk do të na kishte bllokuar drejt BE ne do t’i kishim mbyllur që këtë katër vjeçar”- deklaroi më tej Imami.
...