E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi i madh dhe paradoksaliteti në fjalimet e recituara në konventën e PS-së

22-05-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Konventa e PS-së që për dy ditë i zhvilloi punimet në Tiranë, ishte përplot me fjalime të bukura, por që brenda kishin mashtrimin e madh, dhe në thelb ishin edhe paradoksale. Është kështu për faktin se është po kjo PS që ka vite që flet për krizë ekonomike, por që në Konventën e saj premtoi mrekulli. Por si është e mundur që nëse vendi është në krizë, siç ka thënë vazhdimisht PS-ja, të mund të realizojë ajo gjithë ato fjalë të bukura? Nëse vendi është në krizë, atëherë një qeveri që vjen nga një koalicion që thotë se vendi është në krizë, punën e parë që do të bënte, do të duhej të ofronte një platformë për dalje nga kriza, e jo se si do të pajisë secilin nxënës me tabletë.  Arsye tjetër që më bën t’i konsideroj fjalimet në Konventën e PS vetëm ese të bukura që kanë brenda mashtrimin e madh është edhe fakti se te e majta shqiptare ka pasur një mospërputhje të plotë ndërmjet fjalëve dhe veprave, pasi që gjithmonë ka pasur fjalime të bukura për demokracinë, për lirinë, për antikorrupsionin, për antikriminalitetin dhe për të gjitha të tjerat në vazhdim, por që sa herë u është dhënë mundësia e kanë përmbysë demokracinë, e kanë shkelë lirinë dhe korrupsionin e kriminalitetin e kanë ngritur në sistem. Le të kujtojmë edhe periudhën e vështirë të shtetit dhe të kombit shqiptar, vitin 1997, kohë kur mbi gërmadhat që kishte krijuar vetë, e majta shqiptare premtonte mrekulli, sikurse tash në Konventën e PS-së. Ata që kishin humbur prona në firmat piramidale, si skema financiare private dhe si shpërfaqje raportesh private ndërmjet drejtuesve të këtyre firmave dhe  qytetarëve, e kujtojnë mashtrimin e madh që kishte bërë e majta shqiptare në krye me Fatos Nanon, që u premtoi se nëse do të votonin për të, pra për të majtën shqiptare, do t’i kthenin 100% paratë e humbura në ato skema. Dhe këtë mashtrim të madh e bënte një doktor i shkencave ekonomike. Dhe populli besoi se qeveria e majtë në krye me Fatos Nanon do t’i kthente paratë, prandaj votoi majtas, por mbeti me gishta në gojë. Kurrë më paratë e tyre nuk i panë, sepse një gjoja Komision në krye me Fahrudin Arapin, më shumë kishte për qëllim që të mbulonte lidhjet e së majtës shqiptare me skemat piramidale, dhe mundësisht të zhvaste edhe ato pak para që mund të mblidheshin, sesa që e kishte hallin e kthimit të parave. Duhet thënë se pas këtij mashtrimi të madh, jo vetëm që fshihej thjesht ambicia për pushtet, por edhe që ky pushtet të përdorej për të shtypur kundërshtarët politikë; të përdorej për të fshehur faktet e së vërtetës për anarkinë e vitit 1997, si dhe për të kryer detyra të mëdha për arealin e vendeve sllavo-ortodokse, siç ishin dhe janë Serbia, Greqia, Maqedonia, e pse jo edhe Mali i Zi dhe Rusia. Mjafton vetëm kaq, për të konstatuar, se mbrapa fjalimeve të bukura të së majtës shqiptare, përveç mashtrimit të madh, kanë nxjerrë krye edhe skenarët për marrje të pushtetit me dhunë; për të realizuar skenarë kundërshqiptarë dhe për të shkërmoqë shtetin.
Përveç këtyre, nuk mund të lihen anash edhe disa fakte që këto fjalime të bukura, i nxjerrin zbuluar edhe më shumë. Dhe kur them këtë kam parasysh gjithë praktikën e së majtës shqiptare të të bërit opozitë, por edhe të të bërit qeveri, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin bashkiak e më poshtë, por kam parasysh edhe faktin se jo më pak se pak ditë para kësaj Konvente, Edi Rama kishte shpalosur një nga fjalimet më agresive, më kundërdemokratike dhe më kriminale, pas atij të mbajtur në studion e një televizioni, një natë para dhunës së 21 janarit 2011, kur kishte paralajmëruar për viktima. Dhe në atë fjalim, pra në fjalimin e mbajtur në një nga qytetet shqiptare, Edi Rama kishte premtuar se do të bënte gjyqe kolektive, ndëshkime kolektive dhe gijotinë. Pra, fjalimeve të bukura që kanë brenda mashtrimin e madh, u ka paraprirë tirada e kërcënimeve, e sharjeve, e fyerjeve dhe e formave të tjera agresive të Edi Ramës, por edhe një fjalim shumë agresiv i Majkos po në këtë Konventë. Dhe këto kërcënime të Edi Ramës, por edhe ato të Majkos, japin arsye shtesë që edhe fjalimet e tjera të mbajtura në këtë Konventë të konsiderohen vetëm fjalime të bukura që kanë mashtrimin brenda. Por kur t’i shtohet këtyre edhe fakti se një pjesë e mirë, me pak përjashtime, e atyre që i lexuan ato fjalime, në fakt, edhe për organet e drejtësisë, por edhe për vetë shoqërinë shqiptare janë të njohur si njerëz me precedentë penalë, me histori të mëdha korrupsioni, atëherë është e qartë se këto fjalime vetëm se program zgjedhor nuk kanë qenë, dhe se janë vetëm mashtrime të bukura si ai i kthimit 100% i parave në skemat piramidale. Prandaj edhe afati qëndrueshmërisë së tyre ka qenë deri në fund të kësaj Konvente, sepse në praktikë, e majta shqiptare do të vazhdojë me logjikën e gjertanishme kërcënuese, shantazhuese dhe mashtruese, si dhe me strategjinë e saj për të mbajtur të lartë militantizmin dhe mobilizimin e atij që e majta e quan popull opozitar, për ta përdorur jo vetëm për vota, por edhe për lëvizje anarkiste. Duket se në këtë drejtim gjërat janë duke shkuar më shpejtë, pasi që tashmë ka gjasë se ka përfunduar bashkërendimi i gjithë eshaloneve të dhunës në tërë hapësirën shqiptare, të cilat do të mund të mblidheshin të gjithë në Tiranë qoftë para, qoftë ditën e zgjedhjeve, qoftë edhe pas tyre.
Dhe në këtë kontekst, pra në kontekst të agresivitetit dhe të shprehjeve të tjera kundërdemokratike, kundërligjore dhe kundërshtetërore, duhet thënë se edhe brenda këtyre fjalimeve të bukura, në fakt pati një shumësi qasjesh kundërdemokratike, kundërligjore dhe kundërshtetërore, pasi që për çdo çështje që shtronin, thoshin se do e bëjmë ne, edhe pse shumica e atyre çështjeve ishin çështje e shtyllave të tjera të shtetit. Fjalën e kam për çështje që lidhen me drejtësinë, me organizmin e sistemit të drejtësisë dhe me sisteme të tjera që kanë një pavarësi institucionale nga garniturat politike. Në bazë të atyre fjalimeve, kuptohej sheshit se institucionet e pavarura do t’i rikthejnë nën tutelën e partisë, e që do të thotë se do të ketë pastrime të mëdha nga ato institucione, siç do të ketë edhe spastrime të mëdha në administratën shtetërore civile. Në fund të fundit, për çka duhen të gjitha ato, kur Edi Rama me miqtë e tij do të bëjnë edhe kryeministrin, edhe prokurorin, edhe gjykatësin, edhe shefin e shërbimit informativ, pasi që kështu u tha në këtë Konventë, sepse shprehja më  e shpeshtë që u dëgjua ishte: ne do ta bëjmë, ne do ta bëjmë...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›