Programi i Ramës kërkon të transferojë krizën greke në Shqipëri

Tezat e programit ekonomik të sajuar së fundi nga Edi Rama, janë një përpjekje për transferimin e krizës së Greqisë në Shqipëri. Platforma u përpunua me seminare të përbashkëta dyvjeçare si dhe me rritjen e retorikës anti-italiane në elitën e PS-së. Por ende pa u zbardhur emrat e ekipit politik socialist që do vënë në zbatim reformën antishqiptare, në Greqi ka dhënë dorëheqjen frymëzuesi i kësaj skeme, duke fundosur jo veç krizën greke, por edhe krijesën tjetër të saj, kongresin e PS-së
Historia e dy viteve të fundit të PS-së, është si një histori varësie programore nga njerëzit e kryeministrit grek të dorëhequr Jorgos Papandreu, e prej andej lexohet fort mirë edhe dëshmia e programit dashakeqës ekonomik të Edi Ramës. I gjithë ngërçi politik dyvjeçar u sponsorizua në parlamentin evropian, Këshillin e Evropës dhe tek Komisioni Evropian, prej përfaqësuesve të Athinës zyrtare, të cilët s’po linin vend pa përmendur “kauzën e kutive” që kërkonte Edi Rama në Tiranë. Por, jo gjithçka mbeti në rangun e një aleance politike. Njerëzit e Papandreut kanë edhe “pikën e kontaktit” në itinerarin Tiranë - Athinë - Tiranë. Dhe kjo “pikë kontakti”, nuk ka se si të mos lidhet me rikthimin në shkallën e parë të politikës socialiste të Anastas Angjelit. Pikërisht, në funksion të hartimit të programit ekonomik të lexuar nga Edi Rama, me statusin e “riciklimit”, duke u vendosur edhe në krye të grupit të hartimit të këtij programi, Anastas Angjeli ka shfrytëzuar “conection”-in me “Athinën zyrtare”. Kështu kronika politike na thotë se ai ka qenë disa herë atje, ndërkohë që “përvojën” e krizës së ekonomisë greke e ka sjellë edhe në Tiranë, pikërisht në një seminar të përbashkët PS-PASOK, në qendër të të cilit ishte diskutimi i të njëjtave teza që prodhojnë krizë. Në këmbim të “publicitetit” që Edi Rama e Anastas Angjeli, morën përsipër t’u bënin falas në Tiranë të njëjtave teza që prodhuan krizën në Greqi, nga ana e vetë PASOK disa herë u investua për të mbrojtur të përkëdhelurin e vet të Tiranës, duke “iu krehur bishtin”, në pretendimet e tyre justifikuese, për të bllokuar midis të tjerave edhe integrimin e Shqipërisë në BE. Kjo natyrshëm “u vinte për shtat” edhe miqve në “Athinën zyrtare” të të dorëhequrit Papandreu. Kjo lidhje problematike PS-PASOK (për shqiptarët), sigurisht ka pasur edhe “kundërpeshën” e saj. Ndërsa përfaqësuesit e Papandreut, ishin të vetmit ndërkombëtarë të pranishëm në kongresin e socialistëve në Tiranë, kongresmenët e PS-së, në respekt të mikut grek në kongres, kishin zgjedhur për “tabelë qitjeje” Italinë. Treguesi më i mirë i kësaj ndarje që kongresmenët e PS-së u bënin të mirëve grekë dhe të këqijve italianë, ishin disa prej fjalimeve në kongres. Ajo që dukshëm ra në sy në fjalimet e delegatëve, njerëz të Edi Ramës në kongresin e PS-së, ishte se fjalimet e kësaj kategorie, shquheshin për etiketime jopozitive ndaj marrëdhënieve me Italinë. Këto etiketime, arrinin deri atje sa e cilësonin këtë vend si vendi prej nga po na vijnë mafia dhe plehrat... Këto ndodhën dy ditë para... Në qoftë se kongresi i PS-së, do të ishte zhvilluar dje, jo pardje..., apo..., apo..., në qoftë se Jorgo Papandreu do ta kishte dhënë dorëheqjen pardje dhe jo dje..., ndoshta Anastas Angjeli do të “riformatonte” programin e tij ekonomik dhe nuk do e kishte lejuar Edi Ramën që nga dje, të vazhdojë të prezantohet me tezat e krizës ekonomike greke, duke tentuar t’i importojë, sikurse importi i supozuar i plehrave që sheh në ëndërr. Por afërmendsh, kjo është hipotezë, pasi marrëdhënia e binjakëzuar e Ramës me myshterinjtë grekë ka lidhje me një valvul shkarkimi që qarqet e ekonomistëve destruktivë të PASOK-ut po kërkojnë me ngulm për ekonominë e tyre. E natyrisht, Shqipëria është një rast i mirë dhe programi politik i opozitës kryesore janë shinat e duhura. Edhe pse ajo s’vjen në pushtet, tollovia për taksat sjell problematikë tek financat shtetërore e më pas vjen faza e dytë, ajo e infektimit të sistemit bankar, ku për fat të keq, bankat greke llogariten të kenë rreth 30 përqind të tregut. Të bësh një program politik apostafat për t’ua hedhur konsumatorëve shqiptarë pasojat e krizës greke është një shërbim që u shkon për shtat veç formacioneve politike apatride dhe e tillë është që në zanafillë (tash 70 vjet), edhe Partia Komuniste (sot internacionaliste e antiglobaliste) që drejton Edi Rama. Por për fat, edhe këtë herë koha nuk eci në favor të Edi Ramës. Ende pa mbaruar procesi i numërimit të votave dhe pa dalë ekipi politik që do të vërë në zbatim platformën e eksportimit të krizës greke në Shqipëri, Papandreu bie nga froni, e bashkë me të edhe gjasat që “program rilindja” e Edvinit, të vihet në zbatim për afendikojtë pasokistë të rënë nga vakti.
...