Universiteti i Jale-it: Cilësia e Jetës dhe e Mjedisit – Shqipëria, e 52-a mes 191 vendeve të botës
Revista e “Yale University” në numrin e saj të tetorit e ka rreshtuar Shqipërinë mes 25 vendeve më të mira në botë për mjedisin, duke e klasifikuar me 64 pikë. Analiza merr në konsideratë edhe tregues të tjerë të performancës, si cilësia e ujit, biodiversiteti, ndotja e ajrit, efekti i faktorëve të mjedisit në shëndetin e njeriut, etj. Analiza mbështetet tek Indeksi i Cilësisë së jetës, i cili sivjet e ka renditur Shqipërinë të 52-n, ndër vendet ku preferohet të jetohet më mirë në botë. Krahasuar me dekadën e fundit, vendi ynë ka ecur shumë përpara me "Cilësinë e jetës". Nga viti 2005 kur Shqipëria ishte e 100-ta, në një grup me vende të tilla Zimbabwe, Haiti, Republika e Afrikës Qendrore, Afganistani, Sierra Leone, Guinea Ekuatoriale, Angola, Sudani, Jemen, Çadi apo Somalia, një vit më parë, Shqipëria renditej e 66-ta në listë, kurse sivjet e 52-ta.
Në krye të listës renditen Shtetet e Bashkuara, me këto rezultate: Kostoja e jetesës 76, Kultura 87, Ekonomia 100, Mjedisi 51, Liria 100, Shëndeti 90, Infrastruktura 100, Rreziku dhe Siguria 100, Klima 85, Rezultati final 86 në Renditjen e Cilësisë së Jetës mes 190 vendeve nga e gjithë bota, Shqipëria ka shënuar këtë rezultat: Kostoja e jetesës 75, Argëtimi & Kultura 76, Ekonomia 57, Mjedisi 64, Liria 67, Shëndeti 68, Infrastruktura 36, Rreziku dhe Siguria 71, Klima 90, pikët përfundimtare 64. Në renditje merren parasysh vendet rreth botës ku mund të jetohet më mirë, jeta është më e lirë, të paguhen më pak taksa, të ketë mot më të mirë, të merren avantazhe nga mundësitë në tregjet e reja, vende ku mund të fillohet një jetë e re, një biznes apo të kalohet pensioni, ku ambienti është i ruajtur nga ndotja, klima është e mirë, infrastruktura është e mirë, argëtohesh dhe ka kulturë dhe art. Për të arritur në vlerësimet për secilin vend merren parasysh nëntë kategoritë e sipërpërmenduara: kosto e jetesës, kultura dhe koha e lirë, ekonomia, ambienti, liria, shëndeti, infrastruktura, siguria e rreziku, dhe klima, ku secila ka maksimumin e pikëve 100.
Të dhënat që të nxirret klasifikimi, sipas revistës International Living me bazë në Çikago, merren nga shumë faqe të zyrtarizuara të internetit, si adresat qeveritare, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetit, Ekonmoisë, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bashkimit Europian, OKB, e shumë institucioneve Amerikane, dhe të tjerë ane mbanë botës. Ky është si një studim vjetor në të cilin sapo merren të dhënat analizohen në terren nga korrespondentët e agjencisë amerikane “International Living”, për çdo vend, në mënyrë që të kuptohet se sa reale janë ato, dhe nga ku bazohen rezultatet e tyre. Shqipëria, ka më shumë se pesë vjet që nuk shikohet më në hartë si një ‘njollë e zezë’ për të jetuar. Shqipëria, vitet e fundit ka krijuar një imazh të shkëlqyer në botë, çka shihet qartë sipas të dhënave më të fundit, krahasuar jo më larg se me një vit më parë, ku vendi ynë ka bërë përpara për sa i përket cilësisë së jetës duke zbritur në 14 vende më poshtë. Kosto e jetës ka fituar 75 pikë, ndërkohë që një vit më parë ishte 64 pikë. Në të njëjtin nivel ka qenë edhe treguesi i lirisë me 67 pikë. Të ardhurat dhe kultura për këtë vit janë vlerësuar me 59 pikë, ndërsa një vit më parë me 65 pikë. Ndërsa numri total i pikëve për këtë vit është 64, duke pësuar një rritje të mirë krahasuar me një vit më parë, duke lënë pas vetes gjithë vendet e Ballkanit, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.