Progres- raporti, Meta: Aministia tatimore rrezikon luftën kundër pastrimit të parave

Drejtuesi i PL-së, IlirMeta, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka vënë theksin në disa shqetësime të ngritura në progres- raportin e BE-së për Shqipërinë, lidhur me amnistinë fiskale, pasaportat e arta, ndërtimin e aeroportit të Vlorës, inceneratori i Tiranës, etj.
Referuar aministisë, Meta ka cituar raportin duke nënvizuar se miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe luftën kundër pastrimit të parave.
“Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të frenohet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së”- citon Meta raportin.
Lidhur membështetjen e BE-së për Shqipërinë me 180 milionë euro ndihmë makro-financiare, të disbursuar plotësisht gjatë 2021, kreu I PL-së citon sërish raportin duke theksuar se “Qeveria përdori aktet normative në vend të procedurës së rregullt legjislative kundër kushteve të miratuara bashkarisht”.
“Ndërtimi i një inceneratori të ri në Tiranë paraqet shqetësime në rritje për sa i përket përputhshmërisë me acquis të BE-së për mbetjet, duke përfshirë hierarkinë e mbetjeve dhe objektivat e riciklimit. Raporti i cilëson politikat e menaxhimit të mbetjeve jo në përputhje me objektivat e riciklimit të BE-së dhe kuadrin ligjor pjesërisht të përafruar. Filluan punimet për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosa-Nartë në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe mbrojtjen ndërkombëtare të biodiversitetit, konventa që tashmë janë ratifikuar,” thuhet gjithashtu në Progres Raport, cituar nga Meta.
/rtsh.al/