I plagosuri i Gërdecit tërheq padinë, mbyllet çështja për Mediun
Tiranë- Gjykata e Lartë pushoi dje padinë e një prej të plagosurve nga shpërthimi i Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kur çështja kishte kaluar për shqyrtim dhe kolegji penal, pritej të administronte provat e Zyber Lelës dhe avokatëve të tij, vetë i dëmtuari i ka surprizuar të gjithë, duke tërhequr padinë e bërë pak kohë më parë. Ky fakt, nuk u ishte bërë prezent as avokatëve të tij, Andi Kananaj dhe Dorian Matlija, të cilët në seancë thanë se nuk kishin asnjë informacion zyrtar për këtë çështje. Seanca e djeshme gjyqësore e zhvilluar në sallën më të madhe që disponon Gjykata e Lartë, për shkak të të pranishmëve, pritej të vijonte normalisht me dëgjimin e pretendimeve të paraqitura nga i dëmtuari. Por duke qenë se Gjykata ishte në dijeni se kërkuesi kishte hequr dorë nga padia, në fillim të seancës kërkoi nga avokatët e tij të lexonin këtë kërkesë në gjykatë. Ky moment duket se ka vënë në pozitë avokatët, të cilët thanë se zyrtarisht nuk kishin dijeni se personi i përfaqësuar prej tyre kishte paraqitur në Gjykatën e Lartë një kërkesë me anë të së cilës hiqte dorë nga padia. Pak këtij momenti, gjykata vuri në dispozicion të dy avokatëve një deklaratë noteriale, të firmosur nga paditësi Zyber Lela, e cila mbante datën 28 maj 2011. Sipas këtij akti noterial, i dëmtuari pranon me vullnetin e tij të heqë dorë nga padia, por pa paraqitur arsyet e një veprimi të tillë, kur një seancë më parë refuzoi pajtimin me ish-ministrin e Mbrojtjes. Avokatët e z. Mediu thanë se ishin në dijeni të një kërkese të tillë, duke kërkuar nga gjykata pushimin e çështjes. Por avokatët e të dëmtuarit nga shpërthimi i Gërdecit thanë se Gjykata e Lartë me një vendim unifikues është shprehur se aktet noteriale nuk mund të merren si prova. Me tej, dy mbrojtësit thanë se listës së personave të paditur nga klienti i tyre duhet t’i shtohen edhe 29 të pandehur të tjerë, të cilët aktualisht janë në proces gjyqësor në çështjen e njohur me emrin “Gërdeci”. Shumë prej të pandehurve nuk ishin paraqitur në seancën e djeshme, ndërsa binte në sy prania e ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari, dhe ish-përfaqësuesit të kësaj ndërmarrje në Gërdec, Sokol Ngjeçi. Pasi dëgjoi pretendimin e palëve, gjykata, pas disa momenteve në dhomën e këshillimit, vendosi të pushojë çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes dhe të shpallë moskompetencë për të paditurit e tjerë të këtij procesi, mes të cilëve Mihal Delijorgji, kompania “Albademil” si dhe ish-zyrtarë të lartë të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Një seancë më parë, Zyber Lela i plagosur nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008, refuzoi pajtimin me të paditurin Mediu, duke kërkuar prej tij të paguajë të gjitha shpenzimet spitalore për ndërhyrjet kirurgjikale që duhet të kryejë i dëmtuari. Duke folur para kolegjit penal të Gjykatës së Lartë në datën 24 maj, i plagosuri Lela tha se kërkon nga ish-ministri vetëm shpenzimet që do të paguajë për të paktën tri ndërhyrje kirurgjikale, që do t’i mundësojnë atij eliminimin e dëmtimeve fizike. Zyber Lela tha se ka nevojë për të paktën tre operacione, një në shpatull, që mund të kushtojë deri në 10 mijë euro, një tjetër në shtyllën kurrizore, ku sipas mjekëve duhet të vendosin disa pllaka platini, që kushton deri në 20 mijë euro, si dhe një ndërhyrje tjetër kirurgjikale që do ta kryejë në zemër, vlera e të cilës mund të jetë më e madhe. Për të gjitha këto arsye, Zyber Lela kërkoi nga gjykata që kërkesa e tij të pranohet, duke refuzuar kështu edhe pajtimin me të paditurin prej tij, ish-ministrin e Mbrojtjes në kohën kur ndodhi shpërthimi tragjik i Gërdecit, Fatmir Mediun.