Projekt për rehabilitimin e Lanës, Veliaj: Kush preket do përfitojë banesë të re

Bashkia e Tiranës ka prezantuar projektin për rehabilitimin e lumit të Lanës nga “Pallati me shigjeta” te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se projekti është vijim i punëve të nisura dhe të kryera nga ish-kryebashkiaku Edi Rama në vitet 2000–2011.
Z. Veliaj shtoi se nga ky investim i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit përfitojnë të gjithë qytetarët, ndërsa 317 familjet që preken (edhe ato pa dokumente pronësie) do të përfitojnë fillimisht bonus qiraje dhe më pas nga një banesë të re falas. Ai apeloi qytetarët të bashkëpunojnë me bashkinë.
“Ndaj, dua t’ju bëj thirrje qytetarëve: Mos u përdorni mish për top! Kush bashkëpunon i pari, do futet në shtëpi i pari. Kush shkon t’i vërë biberonin llasticave që humbasin me 60 mijë vota dhe nuk dinë ta kapërcejnë humbjen, atëherë sigurisht do futen të fundit. Në këtë kuptim “kush vjen i pari, shërbehet i pari”. Kush mendon që familjen e tij do ta vërë në dispozicion të një politike që na prodhoi Lanën siç e kemi sot, apo Lanën siç pastroi Edi Rama në 2000, apo realitetet urbane katastrofike siç ishin Kombinati dhe “5 Maji”, në zaptim total, le të vazhdojë, nuk e ndalojmë dot,” tha ai.
Projekti fillestar për rehabilitimin e Lanës daton në vitin 2018, dhe është pjesë e konceptit të përgjithshëm të bashkisë “Tirana 2030”.
Sokol Metoja, konsulenti i ngarkuar me rishikimin e projektit, siguroi se uji që qarkullon në Lanë në të ardhmen do të jetë i pastër, duke zgjidhur një problematikë të vjetër siç ka qenë shkarkimi i ujërave të zeza në të.
“Të dyja anët do të kenë kolektorë të ujërave të zeza. Aktualisht ujërat e zeza derdhen në mënyrë të pakontrolluar në Lanë. Në projektin tonë, ujërat e zeza dhe ujërat nga shiu do të ndahen me kolektorë të pavarur. Uji i Lanës në këtë projekt do të jetë vetëm nga lumi dhe nga ujërat atmosferikë,” deklaroi Sokol Metoja, konsulenti i ngarkuar me rishikimin e projektit.
Aktualisht bashkia e Tiranës e ka hedhur në prokurorim ndërkombëtar zbatimin e projektit për lumin e Lanës, duke e përmbyllur si proces brenda shtatorit, ndërsa në fund të vitit pritet të lidhet kontrata. Zhvendosja e banorëve përmes bonusit të qirasë është parashikuar në fillim të vitit 2025.
/rtsh.al/