E Martë, 3 Nëntor 2026

U arrestua me urdhër të SPAK, KLP pezullon kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pezullon kreun e prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka, i cili u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Ky vendim vjen pas hetimeve të SPAK dhe arrestimit të tij pasi akuzohej se kishte ndikuar në disa çështje penale së bashku me 4 zyrtarë të tjerë.

SPAK ra në gjurmët e kryeprokurorit Zarka nisur nga komunikimet në SKY ECC dhe Enchro Chat, ku mësohet se vetëm prokurori ka pasur 4 kode, me të cilat komunikonte.

Sipas njoftimit të SPAK bëhet e ditur se ndaj kreut të Prokurorisë së Vlorës është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim (iii)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Aurel Zarka është arrestuar ndërsa tre personat për të cilët është lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ish-oficerja e policisë gjyqësore Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinën Toyota Yaris) janë shpallur në kërkim.

Të dyshuarit kanë ndërhyrë, duke marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë në 8 çështje penale, 4 nga të cilat janë të lidhura për dosjen “Toyota Yaris”.

“Nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim A.V., R.Ç., E.D. dhe A.Z, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›