E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektbuxheti 2026, financim i strehëzave për viktimat e dhunës me bazë gjinore

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Buxhetimi i strehëzave për gratë e dhunuara dhe shtimi i fondeve për këtë kategori ishte në qendër të mbledhjes së Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ku të ftuar ishin përfaqësues të shoqërisë civile.

Drejtoresha e qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, Mirela Arqimandriti parashtroi para anëtarëve të komisionit disa kërkesa lidhur me buxhetin që është ndarë për barazinë gjinore, kryesisht duke u përqendruar te buxheti që ka të bëjë me dhunën ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna në familje.

“Kemi shumë vite që merremi me analizën e buxhetit të shtetit nga pikëpamja gjinore dhe gjithashtu Shqipëria ka shumë vite që punon me buxhetimin gjinor dhe ka bërë hapa para në aspektin e politikave, në aspektin ligjor, por edhe në drejtime konkrete”, u shpreh ajo.

Duke iu referuar shërbimeve të specializuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore, Arqimandriti tha se Shqipëria nuk përmbush detyrimet e Konventës së Stambollit, e cila kërkon që çdo shtet të garantojë një vendstrehim për gratë e dhunuara, për çdo 10 mijë banorë.

“Edhe pse kjo është pak e parealizueshme, ne duhet të paktën të kemi 4-5 shërbime me buxhet të qëndrueshëm në disa zona të Shqipërisë. Do të donim ndihma buxhetore të dedikuara për shërbimet e viktimave të dhunës me bazë gjinore. Të krijohen zëra të veçantë për strehëza afatshkurtra dhe afatgjata, qendra trajtimi të dhunës seksuale, program riintegrimi dhe shërbim ‘mobile’ për zonat rurale, apo edhe mbështetje ligjore dhe psiko-sociale”, tha ajo.

Arqimandriti kërkoi po ashtu forcim të mëtejshëm të mekanizmit të buxhetimit gjinor.

Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi siguroi se këto kërkesa do të diskutohen me Ministrinë e Financave në mënyrë që të gjendet mënyra e përfshirjes në buxhet.

E themeluar në vitin 1994 si Qendra e Grave, Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim është një organizatë jofitimprurëse jopartiake me mbi 20 vjet përvojë në kërkim, edukim publik, ndihmë për zhvillimin e kapaciteteve, monitorim dhe avokim.

QAGC promovon zhvillimin demokratik dhe qeverisjen e mirë me fokus të veçantë në barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale.

Ajo është një OSHC kryesore në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore e njohur për rolin e saj në prezantimin e çështjeve thelbësore në lidhje me të drejtat e grave dhe përfshirjen sociale duke adresuar çështje kyçe si dhuna me bazë gjinore dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Që nga fillimet e saj, QAGC ka zbatuar më shumë se 100 projekte që kanë ndikuar në jetën e mijëra përfituesve në të gjithë Shqipërinë. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›