Fokus/Edi Rama me taksat sipas shembullit grek me biznesin

Deputetja socialiste Ermonela Felaj nëpërmjet një deklarate për mediat i kërkoi qeverisë që gjatë javës së ardhshme, kur të kalojë për miratim buxhetin e vitit 2013, të kalojë edhe propozimin e “dajës së Ramës” për heqjen e taksës.
Ish-prokurorja Felaj me një kulturë të plotë juridike, ndonëse me mangësi formimi në çështjet ekonomike është bërë kumtuesja e radhëve të shkruara pa referenca fiskale të PS. Rikthimi në debatin publik i propozimit për heqjen e taksës biznesit të vogël (sipas modelit të propozuar rreth 70 vite më parë nga daja i Edi Ramës, Spiro Koleka) është një tallje cinike që kreu i Partisë Socialiste u bën pa krikë shqiptarëve në përgjithësi dhe në veçanti qytetarëve të Tiranës.
Në fakt, kryetari i Partisë Socialiste u propozon tregtarëve sot heqjen e taksës biznesit të vogël, ndërsa dje ishte kundër uljes apo përgjysmimi të taksave. Sipas tij, atëherë, “shtetit mbahej me taksa”. Madje, me një kundërshti që është shoqëruar me protesta përballë kryeministrisë. Për 11 vite qeverisje socialiste të Bashkisë së Tiranë taksat jo vetëm që nuk u ulën, por u rritën në mënyrë shproporcionale. Deri përpara një viti, një qytetar i kryeqytetit që kishte një biznes të vogël detyrohej të paguante rreth 80 taksa dhe tatime të ndryshme, ndërsa sot barra fiskale është përgjysmuar duke nxitur biznesin e vogël dhe të mesëm.
Dalja në ekstrem të kundërt të Ramës për sa i përket politikës fiskale është jo vetëm një mohim i administrimit fiskal të 800 mijë qytetarëve. Por heqja e taksave, në fakt, është propozimi për të instaluar kulturën e evazionit masiv fiskal, pra të mospagesës së detyrimeve ndaj shtetit. Një kulturë antishtet e evazionit fiskal që është luftuar për shumë vite me anë të taksës së sheshtë, ku ulja e detyrime karshi shteti është në 10 për qind. Duhet thënë më gjithë forcë që taksa e sheshtë përkundër taksës progresive lufton evazionin fiskal. Praktika të thotë se taksa e sheshtë është faktor themelor për thithjen e investimeve në ekonomi. Modeli i PS për heqjen e taksave ka si shembull modelin grek të sjelljes me biznesin, ku kultura e evazionit fiskal domethënë të mospagesës së detyrimeve dhe borxheve ka arritur majat stratosferike.
“Grekët e pasur vazhdojnë t’iu shmangen taksave, ndërsa shtresa e mesme e vendit vazhdon t’iu nënshtrohet masave të rrepta shtrënguese”, shkruante një artikull i ri në revistën gjermane “Der Spiegel”, duke komentuar zhvillimet e fundit në Greqi. Ndërsa në një sondazh të bërë kohët e fundit nga gazeta prestigjioze gjermane “Bild” 80 për qind e gjermanëve theksojnë se grekët duhet të përjashtohen nga BE-jam pasi bizneset ne Greqi nuk japin fatura, nuk ka kasa fiskale dhe pothuajse askush në sektorin e shërbimit nuk lëshon fatura. Gjithashtu kaosi me taksat, fshehja e tyre është si një lojë fëmijësh. Ky është modeli fiskal i instaluar prej qeverive greke, sidomos atyre të PASOK-ut të Jorgos Papandreu që kanë shkaktuar kolapsin e sistemit ekonomik të vendit fqinj.