E Diel, 1 Nëntor 2026

“Projektbuxheti garanton cilësi jetese, zhvillim ekonomik dhe punësim”

04-12-2012 / Gazeta 55

Lulzim Basha te njësia nr. 2/Bashkia e Tiranës nis konsultimet për projektbuxhetin e vitit 2013, prej 80 milionë dollarësh. “Në këtë buxhet do të përfshihet për herë të parë një grant i veçante për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja nga të rinjtë nën 35 vjeç”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nisi dje konsultimet për projektbuxhetin e  vitit 2013 dhe vizionin e bashkisë për investimet dhe zhvillimin e Tiranës deri në vitin 2015. Konsultimet për projektbuxhetin afatmesëm 2013-2015 kanë nisur me njësinë bashkiake nr. 2 një nga zonat me problematike të Tiranës. Basha ka theksuar se qyteti i Tiranës planifikon të shpenzojë deri në vitin 2015, 240 milionë dollarë, ku për vitin 2013, parashikohet një buxhet prej 80 milionë dollarësh. Krahas investimeve ne infrastrukturën projektbuxheti parashikon politika te veçantë për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e biznesit e  rritjen e punësimit.
“Një qytet nuk investon vetëm për të mirëmbajtur, për të riparuar por edhe për të krijuar klimën më të mirë e më të favorshme për biznesin, ekonominë, në mënyrë që të japë sa më shumë mundësi për gjenerim të vendeve të punës, me paga të përshtatshme, që do të thotë gjenerim mirëqenieje.  Në këtë optikë, kemi parë edhe buxhetin 2013. Tashmë, të pajisur me përvojën e 2012 dhe me vizionin deri në 2015. Pikërisht, si pjesë e këtij vizioni, qyteti i Tiranës planifikon të shpenzojë deri në vitin 2015, 240 milionë dollarë, nga të cilat për vitin 2013, ka ndarë një buxhet prej 80 milionë dollarësh”, tha Basha.
Në këtë buxhet do të përfshihet për herë të parë një grant i veçante për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja nga të rinjtë nën 35 vjeç.
Sipas kryebashkiakut Basha, “ky është një zë që ndahet pak nga tradita buxhetore, e mbështetjes vetëm për rrugë, kopshte, shkolla, ndriçim, gjelbërim dhe futet në një ‘domaine’, ku bashkia e Tiranës është e vendosur të udhëheqë një praktikë për krijimin e vendeve të punës, për krijimin e bizneseve dhe mbështetjen e tyre, në mënyrë që të justifikojnë entuziazmin, kapacitetet profesionale dhe dëshirën e rinisë kryeqytetase, me fonde që në fund të fundit vijnë pikërisht nga taksapaguesit e Tiranës”, theksoi ai.
Këtij vizioni te ri te Bashkisë së Tiranës i përputhet plotësisht dhe projekti i detajuar i Bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës i cili i është dorëzuar dje kryebashkiakut, Lulzim Basha.
“Mund t’ju them se mbeta tërësisht i befasuar nga cilësia dhe tiparet e veçantitë e projektit përfundimtar dhe mund t’ju them pa pikë frike se ky projekt pas zbatimit, siç duket se jemi në rrugë të mbarë, me fondet e dhëna qytetit të Tiranës nga shteti i Katarit do të jetë pa dyshim projekti më i bukur, më funksional, më modernizues që mund të gjendet kudo në rajonin tonë, pse jo edhe një ndër më të mirët në Evropë. Kjo gjë më mbush me shpresë dhe besim se jo vetëm jemi në rrugë të mbarë por që investimet që po fillojnë, dita ditës do të fillojnë t’i ndryshojnë faqen qytetit, jo thjesht në kuptimin e cilësisë së jetës së qytetarëve sot, por edhe në kuptimin e kthimit ne një destinacioni të kërkuar dhe të lakmuar për qytetarë të rinj, banorë të rinj, për biznese të reja, për investime të reja”, deklaroi kryebashkiaku, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›