E Enjte, 5 Nëntor 2026

Projektbuxheti për vitin 2022, Kuvendi e miraton me 76 vota pro, 52 kundër dhe 0 abstenim

Pas dy ditësh seancë maratonë, Kuvendi ka miratuar mbrëmjen e sotme projektbuxhetin për vitin 2022, përkatësisht me 76 vota pro, 52 kundër dhe 0 abstenim. Sikurse paralajmëroi, opozita ka votuar kundër këtij projektbuxheti, që e cilësoi si buxhet që Qeveria e ka vënë në shërbim të klientëve të saj. Kritika për buxhet pati edhe nga radhët e PS, ku deputeti Erion Braçe gjatë fjalës së tij tha se dëmtohen interesat e fermerëve, por jo të ndërtuesve. 

Projektbuxheti i vitit 2022, parashikon të mblidhen 536.8 miliardë lekë dhe shpenzime në vlerën e 637.6 miliardë lekëve. Ndërsa sa i takon paketës fiskale, ndryshon ligji për TVSH-në, ku hiqet kompensimi 6% për fermerët, rivendoset taksa 10% për inputet bujqësore dhe vendoset tavan i ri për investimet në bujqësi që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së.

Vetëm nga ndryshimet fiskale të propozuara pritet që të mblidhen 5.2 miliardë lekë dhe të rritet formalizimi i ekonomisë. Ndryshimet e propozuara dhe buxheti pas miratimit sot në parim në Kuvend do të zbresë përsëri për tu shqyrtuar dhe miratuar nen për nen në komisionet parlamentare.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›