“Projekti TAP shumëfishon potencialin energjetik, ul çmimet për konsumatorin shqiptar”
Berisha: TAP e shndërron Shqipërinë në epiqendër të shpërndarjes së gazit drejt Ballkanit të Veriut
Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë përshëndeti firmosjen trepalëshe për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Kryeministri Berisha ritheksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të marrëveshjes trepalëshe të firmosura në Athinë për projektin më të rëndësishëm rajonal, Gazsjellësin TransAdriatik.
Sipas tij, vënia në jetë e këtij projekti, qytetarët shqiptarë do të përfitojnë çmime shumë më të ulëta në furnizimin me energji për ngrohje dhe për gatim.
Kryeministri Berisha u shpreh se potenciali energjetik i vendit shumëfishohet dhe rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë epiqendër e shpërndarjes së gazit në drejtim të Ballkanit të Veriut.
“Sot është një ditë e veçantë dhe kryefjala e mbledhjes është marrëveshja që firmoset sot (dje) në Athinë midis qeverisë shqiptare, asaj italiane dhe qeverisë greke për projektin më të rëndësishëm rajonal, Gazsjellësin TransAdriatik që do të sjellë gazin, nga fusha e gazit në detin Kaspik, Azerbajxhan, në Itali dhe në gjithë Ballkanin e veriut dhe më tutje. Një marrëveshje kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme, një marrëveshje e parë e këtij lloji mes tre vendeve te rajonit, marrëveshje, nga e cila pas konkretizimit të projektit, Shqipëria përfiton dhe shumë qytetarë shqiptarë në procesin e gazifikimit të vendit do të kenë furnizimin me energji për ngrohje dhe për gatim me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimet e tanishme, pra do të shpenzojnë më pak për ngrohje dhe gatim. Potenciali energjetik i vendit shumëfishohet, rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë të jetë një epiqendër e shpërndarjes së gazit në drejtim të Ballkanit të Veriut. Depot natyrore të gazit në vend janë një avantazh shumë i madh për Gazsjellësin, por një avantazh shumë i madh edhe për Shqipërinë. Marrëveshja përbën dokumentin më kryesor që duhej, me ndikim të fuqishëm në vendimmarrjen e konsorciumit të fushës Shah Deniz”, deklaroi kryeministri Berisha.