TAP, 2 miliardë dollarë investime në Shqipëri - mundësi punësimi për mbi 20 mijë qytetarë

Shqipëria, Greqia dhe Italia firmosin marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit Transadriatik. Berisha: TAP e shndërron Shqipërinë në epiqendër të shpërndarjes së gazit drejt Ballkanit të Veriut Shqipëria, Greqia dhe Italia firmosën dje në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP). Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto, ministri i Jashtëm i Greqisë Dimitris Avramopoulos dhe ministri për Zhvillim Ekonomik i Italisë Corrado Passera. Prezent në ceremoninë firmosjen e marrëveshjes ishte dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Erik Rubin dhe kryeministri grek Samaras. Gjatë qëndrimit në Athinë ministri Haxhinasto pasi takoi të dy ministrat e vendeve fqinje theksoi se me këtë marrëveshje, Shqipëria ka mundësi furnizimi me gaz të lirë. “Investimi që do të kryhet në Shqipëri përmes zbatimit të këtij projekti llogaritet mbi 2 miliardë dollarë dhe gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij do të punësohen mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë”, theksoi Haxhinasto. Ai e vlerësoi këtë projekt si madhor për secilin nga vendet, rajonin dhe Europën. “Me këtë projekt Shqipëria bëhet një kontributor direkt për sigurinë energjetike në Europë”, u shpreh Haxhinasto. Ai e konsideroi TAP-in si një urë që i bashkon vendet rreth një qëllimi të përbashkët për bashkëpunimin, integrimin, sigurinë dhe prosperitetin. Gazsjellësi TAP ka rëndësi strategjike për Shqipërinë për përdorim të brendshëm duke mundësuar rritjen dhe diversifikimin e burimeve energjetike, si dhe e shndërron vendin në epiqendër të shpërndarjes së gazit në rajon dhe më gjerë. Ministri italian i Energjisë, Corrado Passera tha se shpreson që qeveria e Azerbajxhanit do të zgjedhë TAP si fituesin për transportin e gazit në Europë.
...