E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i BE-së, Basha: Binjakëzimi, jo thjesht akt simbolik

TIRANË - Bashkëpunim i komuniteteve nuk duhet të jetë thjesht akt simbolik, vuri në dukje kryebashkiaku, Lulzim Basha, në takimin e sotëm për projektin evropian “Për binjakëzimin e Bashkive”.

Duke e cilësuar projektin më të ri të BE-së si një dritare të re për bashkëpunimin e ngushtë jo vetëm brenda vendit, por edhe me gjithë anëtarët e huaja pjesë e projektit, Basha, tha se “binjakëzimi është një proces i hershëm historik dhe një ngjarje historike për çdo qytet, veçanërisht kur Bashkitë tona bashkohen me qendra historike të BE-së”.

Pavarësisht axhendës së ngarkuar njësitë e pushteti vendor, sipas Bashës e kanë të domosdoshme bashkimin me qendra të tjera.

Basha theksoi se “ajo për të cilën priremi gjithmonë e më shumë, është binjakëzimi kuptimplotë që bëhet nga një axhendë bashkëpunimi reciproke. Në përvojën time është ky lloj bashkëpunimi që kërkojmë të nxisim dhe zgjerojmë dhe presim ato avantazhe komunikimi, që i hap rrugën afrimit të komuniteteve. Ky projekt do nxisë bashkëpunim të bashkive tona me Bashkitë Evropiane. Pasi kemi një qëllim që është përfundimi i procesit evropian të vendit”.

Projekte të tilla, sipas kryebashkiakut marrin vlerë kur mbërrijnë në një bashkëpunim kuptimplotë.

“Bashkëpunim i vërtetët komuniteteve, jo thjesht i kryetarëve të bashkive e administratës, por komuniteteve, bashkëpunim që shtrihet në mënyrë kapilare te gjithçka që përbën një qytet, tregu, arti e kultura dhe çdo gjë tjetër”, argumentoi Basha.

Si rrjedhojë binjakëzimi, sipas kryebashkiakut nuk mbetet një akt simbolik, por proces ku palët janë përfituese dhe në këtë kuadër, bashkitë shqiptare futen në projekt të financuar nga BE, në këtë dritare që hapet në këtë projekt.

Ky proces do nxisë Bashkitë të punojnë ngushtësisht me bashkitë e vendeve anëtare dhe do të jetë kontribut për afrimin e shpejtë në praktikat europiane, për krijimin e një administrate vendore të një vendi të BE.

Redaksia online
(atsh/eç/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›