Projekti i ILO-s; Modernizim i Shërbimit Kombëtar të Punësimit
Modernizimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit është në qendër të seminarit dyditor të organizuar nga Zyra e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në kuadër të projektit “Asistencë për fuqizimin e sistemit të punësimit dhe formimit”, zbatuar nga ILO dhe me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë. Zv.ministri Kastiot Sulka, duke e marrë fjalën në këtë aktivitet, theksoi rolin e pazëvendësueshëm të të gjithë organizmave që kanë asistuar ngritjen dhe forcimin e rolit të Ministrisë së Punës, “në mënyrë të veçantë të ILO-s si një agjenci e specializuar në fushën e punës”. “Ne kemi një tjetër qasje ndaj varfërisë, - u shpreh Sulka, - aplikimin e një game të re të masave ndaj varfërisë, duke përfshirë rritjen e investimeve në zonat me probleme sociale dhe mbështetje ekonomike financiare për të dizavantazhuarit, nëpërmjet rritjes së përfshirjes së individëve dhe familjeve në nevojë në skemën e ndihmës ekonomike. Drejtimin kryesor për përmirësimin e gjendjes së punësimit dhe luftës ndaj varfërisë do të vazhdojmë ta mbështesim në zhvillimin ekonomik të vendit, ku një rol të rëndësishëm luan zhvillimi i biznesit dhe në këtë këndvështrim ne kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur si për sa i përket afrimit të një fuqie punëtore të përshtatshme për nevojat e tregut të punës, ashtu edhe në identifikimin dhe parapërgatitjen e aftësive të nevojshme për këtë treg”. Specialistja e Punësimit e ILO-s, Natalia Popova, prezantoi studimin “Vlerësimi i funksioneve dhe zbatimi i tyre në SHKP”, në të cilin është evidentuar gjendja aktuale e shërbimeve të punësimit në Shqipëri dhe janë paraqitur rekomandimet për përmirësimin e tyre. Grupi i punës i ngritur për hartimin e Strategjisë së Brendshme të SHKP-së, e para e këtij lloji, do të bazohet në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm edhe në gjetjet dhe rekomandimet e këtij studimi. Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, e vlerësoi si shumë të rëndësishme asistencën teknike të ILO-s për përgatitjen e Strategjisë, “një dokument i munguar deri tani”.