E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti, ndihmë ekonomike për fëmijët që jetojnë në varfëri

TIRANE - Fëmijët që ndjekin arsimin e detyruar 9- vjeçar dhe që kanë prindër të cilët përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike, do të bëhen pjesë e një skeme të re ndihme ekonomike. Kjo, në bazë të Planit të Veprimit për Fëmijë 2012-2015, të hartuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i cili është miratuar ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave.

Fillimisht, do të përfshihen vetëm fëmijët e disa njësive vendore, ku do të bëhet edhe pilotimi i kësaj skeme, ndërkohë që nëse ai jep rezultate pozitive do të shtrihet në zonat e gjithë vendit. Projekti është në fazën e diskutimit dhe ende nuk bëhen të ditura detaje në lidhje me vlerën monetare që do të përfitojnë fëmijët dhe numri i zonave në të cilat do të shtrihet.

Megjithatë, mendohet që mjafton që një prej prindërve të fëmijës të jetë i përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike, për të përfituar edhe fëmija. Për herë të parë në Planin e Veprimit për Fëmijë është përfshirë edhe e drejta e fëmijëve për zhvillim, duke filluar nga grupmosha 0-3 vjeç. Rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në proceset vendimmarrëse mbetet objektiv edhe i këtij Plan Veprimi. Për këtë çështje janë parashikuar masa konkrete, që synojnë përfshirjen e fëmijëve në procesin e hartimit të programeve mësimore vjetore, rishikimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore, shtrirjen e mëtejshme të veprimtarisë së qeverisë së nxënësve edhe në komunitet.

Një objektiv tjetër i planit është edhe toleranca zero ndaj braktisjes së shkollës, me anë të programeve integruese në shkolla. Theksi i veçantë i vihet rritjes së numrit të regjistrimit në arsimin e detyruar të fëmijëve romë, egjiptianë, në nivelin 4.5% dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara, në nivelin 2%.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›