Projekti për akcizat, biznesi shpërthen në debate me financat
Debate të ashpra ka nxitur diskutimi i projektligjit të ri “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” mes përfaqësuesve të biznesit dhe atyre të Ministrisë së Financave. Garancia për borxhin dhe penalitetet, të cilat paraqiten të ndryshuara dhe sipas biznesit represive, kanë qenë dy pikat më të nxehta të debatit. Sipas Luan Bregasit, të Business Albania penalitetet janë policeske dhe represive, gjë që e frikësojnë biznesin për të prodhuar. “Paradhënia e depozituar është ngarkesë e madhe për biznesin. Të gjithë e dimë që jemi në vështirësi për shkak të krizës globale dhe ju e vini më tej në vështirësi. Ju thoni që është qeveria e taksave të ulëta. Pagesa e pullave fiskale është kosto e re që i shtohet biznesit. Penalitetet policeske; ke frikë të prodhosh. Ligji është represiv. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin”, - tha Bregasi. Në përgjigje të tij, zv/ministri Rushaj u shpreh se shpenzimi për pullat është njohur si i zbritshëm dhe koncesionari ka marrë përsipër vendosjen e pajisjeve për pullat. Gjithashtu, sipas Rushajt nuk ka ndryshim në nivelin e garancive, por në mënyrën e aplikimit. Ndërsa për kreun e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Genc Boga, janë shqetësim interesat, kamatëvonesat. Ai kundërshtoi garancitë që parashikohen në projektligjin e ri, i cili përfshin edhe garancinë për gjobat. Sipas Bogës, kjo nuk është në përputhje me direktivat e BE-së. Ligji i ri për akcizat, ndryshe nga ai në fuqi parashikon lënien e garancisë për borxhet. Për një borxh, autoritetet doganore mund të kërkojnë vetëm një garanci. Me kërkesë të depozituesit të miratuar, dërguesit të regjistruar, pritësit të regjistruar/operatorit të regjistruar ose nga përfaqësuesi fiskal, autoritetet doganore mund të lejojnë dhënien e një garancie globale për të mbuluar dy ose më shumë veprime, për të cilat ka lindur ose mund të lindë një borxh. Depozituesi i miratuar është i detyruar të depozitojë një garanci në masën 100% të detyrimit të akcizës të produkteve të depozituara. Nëse garancia jepet nga subjekte të tjera, shuma e garancisë së dhënë nga depozituesi i miratuar zvogëlohet në të njëjtën vlerë. Depozituesit e miratuar, dërguesit e regjistruar, pritësit e regjistruar, janë të detyruar të garantojnë në masën 100 % detyrimin e akcizës edhe për të gjitha operacionet e tjera me pezullim të detyrimeve të akcizës. Garancia mund të jepet në formën e një: depozitë në të holla ose dorëzanie. Garancia nuk çlirohet për sa kohë që borxhi, për të cilin kjo garanci është lëshuar, nuk është shlyer ose mund të lindë përsëri. Garancia duhet të çlirohet sapo borxhi shlyhet ose nuk mund të lindë përsëri. Kur borxhi shlyhet pjesërisht ose mund të lindë vetëm në lidhje me një pjesë të shumës që është siguruar, me kërkesë të personit të interesuar, çlirohet vetëm pjesa përkatëse e garancisë, me përjashtim të rastit kur shuma në fjalë nuk e justifikon këtë veprim. Pavarësisht nga ndjekja penale, dënohet me gjobë sa 5-fishi i detyrimeve fiskale që duheshin paguar për këto produkte të akcizës, por për çdo rast jo me pak se 1 000 000 lekë kushdo që: fabrikon ose rafinon produkte energjetike në mënyrë klandestine; shmang me çfarëdo lloj mjeti apo mënyre, produktet energjetike përfshi edhe gazin natyral, nga verifikimi dhe/ose nga pagimi i akcizës; u jep operatorëve që i nënshtrohen detyrimeve të akcizës produkte të përjashtuara nga akciza ose me akcizë të reduktuar etj.