E Diel, 1 Nëntor 2026

Akciza u hiqet tatimeve, më 2012 mblidhet nga doganat

SHKRUAN: Sabina Veizaj 22-11-2011 17:06

Sipas projektligjit të ndryshuar, akciza do të vilet në prodhim dhe import me qëllim parandalimin e evazionit fiskal. Komuniteti i biznesit kundërshtoi penalitetet duke i cilësuar ato ‘policeske’

Me miratimin e projektligjit të akcizave, taksa do të vilet në prodhim dhe import, ndërsa do të jetë administrata doganore ajo që do të kujdeset për procedurat. Projektligji i ri dikton kalimin e kompetencave nga administrata tatimore në atë doganore për vjeljen e akcizës dhe një administrim i tillë sipas zv/ministrit të Financave, Alfred Rushaj, do të bënte mbylljen e ciklit duke përjashtuar mundësinë e evazionit, pasi administrata doganore ka një sistem informatizimi. Me ligjin në fuqi, administrimi i akcizës bëhet nga administrata doganore për mallrat e importit dhe nga administrata tatimore për mallrat e akcizës që prodhohen në vend, apo të cilat kanë nevojë të pajisen me pullë fiskale. Projektligji i ri “Për akcizën” u diskutua dje në Këshillin Konsultativ të Biznesit në mjediset e Ministrisë së Ekonomisë. Referuar projektligjit, lindja e detyrimit të akcizës për mallrat e akcizës lind në momentin e hedhjes për konsum në territor, që do të thotë dalja, përfshirë edhe daljen e parregullt të produkteve të akcizës nga një regjim i pezullimit të detyrimeve; mbajtja e produkteve të akcizës jashtë një regjimi pezullues të detyrimeve, ku akciza nuk është vjelë sipas ligjit të ri. Po kështu edhe prodhimi, përfshirë edhe prodhimin e parregullt të produkteve të akcizës jashtë një regjimi të pezullimit të detyrimeve. Gjithashtu edhe importi, përfshirë edhe importin e parregullt të produkteve të akcizës me përjashtim të rastit kur produktet, menjëherë pas importit janë futur nën një regjim të pezullimit të detyrimeve. Në të njëjtën kohë, sipas projektligjit në fjalë, momenti i hedhjes për konsum është: momenti i dërgimit të produkteve të akcizës nga një depozitues i miratuar drejt një personi juridik ose fizik që nuk është i autorizuar të presë mallra akcize nën regjimin e pezullimit të detyrimeve etj. Pagesa e akcizës parashikohet nga projektligji i ri të bëhet nga depozituesi i miratuar, pritësi i regjistruar ose çdo person tjetër që kryen nxjerrjen e produkteve që i nënshtrohen Për sa i përket rimbursimit, projektligji i ri parashikon rimbursim për prodhuesit e produkteve të akcizës, që ka blerë mallra akcize me akcizë të paguar dhe i ka përdorur ato për të prodhuar produkte të reja akcize; eksportuesi i mallrave të akcizës për të cilat akciza është paguar në Shqipëri; kur sasia e pullave të akcizës të vendosura në mënyrë automatike është prishur ose kjo sasi bëhet e papërdorshme etj. Ndërsa borxhi shuhet kur paguhet shuma e detyrimit të akcizës; shuhet shuma e detyrimit të akcizës; mallrat që i nënshtrohen detyrimit të akcizës konfiskohen; mallrat që i nënshtrohen detyrimit të akcizës sekuestrohen dhe në të njëjtën kohë ose më pas konfiskohen; mallrat që i nënshtrohen detyrimit të akcizës asgjësohen nën mbikëqyrjen doganore ose kalojnë në pronësi të shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›