E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për mbetjet kancerogjene të Amiantit në Fier, brenda vitit nis zbatimi

Belgët diskutojnë projektin në Bashkinë e Fierit  
Problemi i mbetjeve kancerogjene të Amiantit në qytetin e Fierit, po shkon drejt zgjedhjes. Një projekt studimi i një kompanie belge  pritet të stopojë edhe rrezikun e  sëmundjeve kancerogjene, si pasojë e lëndëve rrezatuese të Amiantit. Ishte kjo arsyeja që një grup specialistesh belgë, mbërritën dje në Bashkinë e Fierit, ku kanë zhvilluar një takim me kryebashkiakun Baftjar Zeqo si dhe me një staf të ngushtë të tij duke paraqitur edhe projektin në fjalë. Gjithçka pritet të përfshijë gjithë zonën e Fierit dhe më tepër vëmendje pritet të tërheqin zonat në të cilat janë konstatuar mbetje kancerogjene të Amiantit. Specialistët belgë bënë të ditur se projekti është i ndarë në faza ku përfshihet  studimi, pra përcaktimi i vendit të ndotur, përpunimi i tyre dhe groposja ose largimi i këtyre mbetjeve kancerogjene pas përpunimit. Sipas përfaqësuesve belgë, në fillim do të kryhet kontrolli, pasi pas informacioneve të marra nga studimet e kryera, është vërtetuar se në ajrin e ndotur të Fierit ka patur prezencë të lëndës kancerogjene të Amiantit, i njohur  ndryshe si azbest. Kjo lëndë mendohet të ketë pushtuar prej kohësh gjithë territorin e Fierit, por në fillim ajo është përdorur për lëndë të parë, e cila ndihmonte ndërtuesit dhe prodhuesit. Sipas të dhënave të përpara viteve 90 në Fier kanë ekzistuar fabrika të cilat prodhonin me Amiant materiale ndërtimi, një ndër to ka qenë eterniti, i cili mbulonte kryesisht baraka dhe ballkone, por gjente më tepër përdorim edhe në mbulimin e fermave dhe kapanoneve të ndryshme. Ndërkohë belgët kanë treguar se fill pas studimit te vendit do të kryhen analizat laboratorike në një laborator modern në Belgjikë dhe në bazë të përfundimeve të kryera në të, do të veprohet për fazat e tjera të këtij projekti. Ndërkohë vetë kryetari i bashkisë e ka quajtur një hap të admirueshëm këtë iniciativë duke treguar mbështetjen nga ana e institucionit që ai drejton. Ai ka deklaruar se do të çojë në dispozicion të kompanisë një pjesë të stafit inxhiniero- teknik Më duhet të falenderoj belgët për këtë nismë, pasi edhe pse kjo lëndë është pak e njohur për qytetarët  dhe banorët e kësaj zone, këto mbetje kancerogjene duhet të largohen, për vetë faktin se janë shumë të dëmshme për jetën e banorëve. Ne nuk duam të përhapim panik tani, por  më mirë që  banorët nuk e kanë ditur se ekziston një mbetje e tillë e rrezikshme dhe të njihen sërish me lajmin e mirë që shumë shpejt kjo rrezikshmëri do të zhduket njeherë e përgjithmonë, ka deklaruar kreybashkiaku Baftjar Zeqaj. Ky fenomen i panjohur deri tani si kërcënim, është më i përhapur në Fier pasi ky vend ka qene industrial .Sipas specialistëve amianti gjendet në trajta dhe forma të ndryshme dhe në Fier do tu jepet rëndësi së pari pallateve të ndërtuara përpara viteve 90 tek të cilat ka materiale izoluese dhe termoizoluese që kanë në përmbajtje sasi të mëdha të kësaj lënde, ndërsa po sipas të njëjtave burime, të gjitha tubacionet që janë përdorur për ngrohjen e serave në të gjithë zonën tonë janë të mbështjella me një letër që përmban sasi Aminati. Ky projekt i cili pritet të nisë brenda këtij viti, do të përparojë për të bërë demontim, çmontim dhe neutralizim të të gjithë mbetjeve. Në Shqipëri vetëm së fundi specialistët e mjedisit dhe të shëndetit publik kanë filluar të flasin për Amiantin, ose Azbestin si një burim kancerogjen. Ai njihet si i tillë që prej fillimit të viteve 90, dhe është ndaluar totalisht përdorimi i tij që prej 1 janarit të vitit 2005 në vendet e BE-së. Së fundi në Shqipëri është bërë një studim nga një grup studiuesish, të mbështetur nga Ministria e Mjedisit, ku është vlerësuar sasia e Amiantit e përdorur në Shqipëri, vatrat dhe burimet e pranisë, dhe metodat e trajtimit të tij. Amianti, sipas specialistëve të mjedisit, është një nga elementet simbol të rrezikshmërisë për shëndetin publik, madje ai është cilësuar si katastrofa më e madhe mjedisore e shëndetit publik prej shekujsh.

Last Updated on Wednesday, 17 June 2009 09:34

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›