Projekti për ujëmbledhësin e rezervuarit të Kurjanit në Roskovec, miratohen shpronësimet

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rritja e sigurisë së digës dhe përmirësimi i aftësive ujëmbledhëse të rezervuarit të Kurjanit”, Bashkia Roskovec.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Roskovec.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 481 500 lekësh.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Roskovec për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /j.p/