E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projektligj i ri për mbrojtjen e sinjalizuesve, shteti jep garanci për ata që denoncojnë korrupsionin, abuzimet me fondet dhe prokurimet publike

Një projektligj i propozuar nga ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, i titulluar “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, synon të krijojë një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse për të adresuar dhe parandaluar veprimet e kundërligjshme në sektorët publik dhe privat. Ai përcakton rregulla specifike për mbrojtjen e personave që raportojnë shkelje, duke krijuar mekanizma efektivë për raportimin dhe duke garantuar trajtimin e drejtë të sinjalizimeve.

Ligji, që është në proces konsultimi publik, ka për objekt mbrojtjen e sinjalizuesve në sektorin publik dhe privat, duke mbuluar një gamë të gjerë shkeljesh ligjore, duke përfshirë përdorimin e fondeve publike, prokurimin publik, shërbimet financiare, sigurinë e produkteve dhe transportit, mbrojtjen e mjedisit, shëndetin publik, mbrojtjen e konsumatorit dhe privatësinë e të dhënave personale.

Sipas dokumentit që publikon rtsh.al, qëllimi kryesor është të parandalojë dhe godasë veprimet e kundërligjshme, duke inkurajuar raportimin e shkeljeve dhe duke ofruar mbrojtje efektive për sinjalizuesit.

Të drejtat e sinjalizuesit

Projektligji garanton të drejta thelbësore për sinjalizuesit, duke përfshirë garantimin e mbrojtjes nga çdo formë hakmarrjeje, duke përfshirë shkarkimin nga puna, uljen në detyrë, diskriminimin dhe forma të tjera të trajtimit të padrejtë.

Nga ana tjetër, projektligji synon të ruajë identitetin e sinjalizuesve dhe të dhënave të tyre, duke siguruar konfidencialitetin gjatë gjithë procesit, edhe në rastet e sinjalizimit anonim.

Të drejtat e mbrojtjes shtrihen edhe te ndihmësit, personat e lidhur me sinjalizuesin, si dhe personat juridikë me të cilët sinjalizuesi ka marrëdhënie.

Procedura e sinjalizimit dhe hetimit

Ligji në shqyrtim përcakton procedura të qarta për kryerjen e sinjalizimeve, si pranë njësive përgjegjëse brenda institucioneve, ashtu edhe pranë Autoritetit Kombëtar të Integritetit (ILDKPKI).

Ai inkurajon përdorimin e mekanizmave të sinjalizimit të brendshëm, të jashtëm ose publik, duke ofruar mundësinë e sinjalizimit anonim në kushte të caktuara.

Të gjitha autoritetet publike dhe subjektet private me më shumë se 50 punonjës do të kenë detyrimin të krijojnë njësi përgjegjëse për sinjalizimin. Këto njësi do të jenë përgjegjëse për menaxhimin e sinjalizimeve të brendshme dhe do të garantojnë akses në të gjitha format e sinjalizimit.

Kundërvajtjet administrative

Projektligji parashikon sanksione administrative për shkeljet e dispozitave të tij, duke përfshirë gjoba për mos-krijimin e njësisë përgjegjëse, pengimin e sinjalizimit, veprime hakmarrëse kundër sinjalizuesve, shkeljen e konfidencialitetit dhe fillimin e procedurave të paligjshme.

Shkelja e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, si më poshtë:

  • moscaktimi i njësisë përgjegjëse nga  autoriteti publik ose subjekti privat dënohet me gjobë 100 000 lekë;
  • mospërmbushja e detyrimit për dërgimin e raportit vjetor nga njësia përgjegjëse pranë autoritetit kompetent, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë;
  • pengimi, përpjekja ose kërcënimi për të penguar sinjalizimin, sipas parashikimeve  të këtij  ligji, dënohet me gjobë nga 100,000 deri në 300,000 lekë;
  • çdo veprim hakmarrës ndaj sinjalizuesit, përfshirë përpjekjet dhe kërcënimet apo moszbatimin e urdhërit të ILDKPKI-së për të pezulluar ose ndërprerë veprimet hakmarrëse, i ndërmarrë nga autoriteti publik ose subjekti privat sipas këtij ligji, përfshirë refuzimin për të vepruar sipas  nenit 22 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë;
  • shkelja e parimeve të hetimit të sinjalizimit nga punonjësi, sipas nenit 22, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
  • shkelja e detyrimit për ruajtjen e konfidencialitetit, sipas nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 150 000 deri në 300 000lekë;
  • mosfillimi i hetimit ose përfundimi i hetimit administrativ nga punonjësi, në kundërshtim me nenin 21, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
  • Fillimi i procedurave të paligjshme ndaj sinjalizuesit dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
  • Sinjalizimi i rremë i kryer me vetëdije ndaj të sinjalizuarit dënohet me gjobë nga  100 000 deri në 300 000 lekë.

Të ardhurat nga gjobat do të kalojnë në Buxhetin e Shtetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›