E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në seancën e fundit parlamentare për vitin 2012

Të nderuar deputetë dhe deputete

Të nderuar qytetarë  që po ndiqni seancën e fundit të parlamentit shqiptar për vitin 2012.

Është një rast shumë i veçantë për mua të shpreh nderimin tim të madh, për punën e madhe që ka bërë ky tempull i demokracisë gjatë vitit 2012. Të shpreh vlerësimin tim për votimin e reformave të mëdha, por dhe historike në parlamentin shqiptar gjatë vitit që lëmë pas, siç ishte heqja  e imunitetit për të gjithë imunitarët e vendit,  e cila e ka bërë Shqipërinë në këtë aspekt një vend me civilitet të lartë. Padiskutim  reforma zgjedhore përbën dhe kjo një sukses të madh, jo se ligji që u ndryshua kishte probleme, ai ishte i standardeve më të mira, por ju garantoj se, çdo mandat do të ndryshojë për faktin se humbësi  fillon dhe grindet me ligjin. Ndaj dhe nuk mbetet alternativë tjetër, veçse ndryshimi i tij çdo katër vjet.

Dua të falenderoj këtë parlament, që gjatë vitit 2012 miratoi me dhjetëra ligje, dekrete dhe vendime. Parlamenti i dha popullit dhe vendit një president me dinjitet, integritet, atdhetari dhe përkushtim të shkëlqyer.  Parlamenti, iu dha institucioneve të tjera me votën e tij personalitete të shquara dhe shumë premtuese në veprimtarinë e këtyre institucioneve. Parlamenti votoi një seri kodesh dhe ligjesh, të cilat bënë të mundur një vendim historik të Komisionit Europian, vendim, i cili rekomandon Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian dhënien e  statusit të vendit kandidat  për Shqipërinë, me kusht që të votohen tre ligje, të cilat prej shumë muajsh presin të bllokuara në komisionet e këtij parlamenti me qëllim absolut të caktuar, me qëllim përdorimin e tyre si mur për bllokimin e procesit të integrimit nga kreu i opozitës së sotme.

Të dashur qytetarë  dhe qytetare

Ky bllokim nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Bashkimit Europian. Kurrë ndonjëherë një lider i një force kryesore politike, nuk ka guxuar të ngrihet kundër interesave jetike të kombit të tij dhe të përdorë votën e qytetarëve, që kanë si ëndërr kryesore procesin e integrimit ,për të bllokuar tre ligje për të bllokuar procesin e integrimit.  Për muaj të tërë, ju dëgjuar avoketërit  e këtij bllokimi se, dhënia e statusit do të lidhet me zgjedhjet.  Zgjedhjet janë një proces  themelor i demokracisë, por zgjedhjet e vitit 2009 ishin zgjedhjet që përmbushën standardet kryesore të OSBE, nuk lejuan që statusi të lidhej me zgjedhjet. Shqipëria, demokracia e saj, shteti i së drejtës së saj, lufta kundër krimit dhe korrupsionit  kishin bërë të mundur që Komisioni Europian, institucioni kryesor që merr në shqyrtim në këtë proces veprimtarinë e të gjitha ministrive dhe agjensive  të vendit në përputhje me detyrat që përcakton raporti i tyre, konkludoi se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat dhe duhet të votohen tre ligje. Jo se këto ligje kanë vakum, por si një dëshmi se të gjitha palët janë për procesin e integrimit. Kjo në mënyrën më paradoksale nuk ndodhi.  Komisioni Europian në fillim të dhjetorit po kështu Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian dhe më pas Parlamenti Europian, të tri institucionet themelore qartësuan se kushti i vetëm për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë ishte votimi i tre ligjeve dhe jo zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme. Ai do të jetë një kusht për hapjen e negociatave.

Makineria e dizinformimit qarkulluan të njëjtat thashetheme dhe shpifje, të cilat qarkulluan edhe në prag të marrjes së ftesës për në NATO. Thane se ky apo ai vend nuk do ta pranojë Shqipërinë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, 

Çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian ka të drejtën e vetos, por Shqipëria e vlerësuar në çdo akt të veprimtarisë së saj nga Komisioni Europian do të ishte shumë e vështirë  që të pengohej pavarësisht nga kimizmi i këtij apo atij vendi për Shqipërinë apo shqiptarët. Kjo do të ishte shumë e vështirë.  Natyrisht tani është shumë e thjeshtë, kur kreu i opozitës shqiptare deklaron botërisht se, nuk voton ligjet dhe thotë se më jepni Fierin. Eshte e dhimbshme kur dëgjoj njerëz që kanë 20 vite në politikë dhe thonë se, në Fier a fitoi Partia Socialiste. Po, në Fier fitoi Partia Socialiste, por në vendin e lirë që quhet Shqipëri, në çdo vend të lirë të Europës, përfaqësuesit  vendorë kanë të drejtë të kalojnë nga cila forcë të duan, siç kanë bërë edhe  deputetët. Dy deputetë  të mijtë kanë kaluar në anë tuaj,  Paulin Sterkaj  dhe Gazmend Oketa, e kanë të drejtë këtë, na pëlqen apo jo ne drejtuesve të partive, na vjen apo nuk na vjen e hidhur neve, kjo e drejtë është  një dëshmi e funksionimit të demokracisë.

Kjo nuk ndodh në diktaturë se të presin ato që të presin, në liri kjo ndodh.  Ka ndodhur dhe do ndodhë dhe do pranohet një realitet. Pasi paraqiti Fierin si një pretekst tjetër, të cilin nuk ia përligji as edhe një njeri i vetëm, fajëson Gramozin (Ruçi). U thotë të huajve se nuk me lejon Gramozi.  Më fal more zotëri, por e shumëzon dhjetë herë më zero sa herë që dëshiron Gramozin, Fatmirin dhe cilin do prej tyre, kur i leverdis e paraqet sikur këta nuk më lejojnë, kjo është  e vërteta. Pasi i kanë thënë në sy jo një por disa përfaqësues të ndërkombëtar se "për ne Fieri nuk ekziston",  përgjigja e tij është; - për mua Gramozi ekziston.  Atëherë jam i bindur dhe e them këtu në sinqeritetin më të madh se kjo ka të bëjë me ëndrrën e çdo shqiptari, si kam personale këto. Nuk kam asgjë personale këtu, i them të vërtetat siç janë. Këto tre ligje nuk votohen dhe mbahet muri i bllokimit. Megjithate demokracia kjo është, ajo është për tu mësuar. Zgjedhjet po vijnë , jam i bindur se shqiptarët do të përdorin votën e tyre për ta fshirë nga faqja e dheut atë mur dhe për të ecur drejt Europës të sigurtë siç e meritojnë. 

Ky parlament ka një meritë të jashtëzakonshme, votoi buxhetin më të madh në historinë kombëtare të Shqipërisë.

Zonja dhe zotërinj deputetë

Para tre ditësh një nga grupet me serioze të planetit, grupi i konsulencës  së Bostonit, botoi  studimin e tij. Studim, në të cilin shqyrton, duke u bazuar në 51 tregues të marrë nga Banka Botërore dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar, të ardhurat  dhe shpërndarjen e  tyre, arsimin dhe cilësia e tij, shëndetësia dhe cilësia e saj, infrastruktura dhe investimet në të, ujësjellësat, kanalizimet, telekomunikacioni, barazia gjinore ruajtja e mjedisit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimi i ligjit, indeksimi  dhe të gjithë te tjerat ndër 10 fushat të vlerësuar të vlerësuar me 51 tregues.  Çfarë gjeti?  Duke nxjerre prej këtij studimi dy koefiçentë. Koeficienti i parë, kthimi i pasurisë në mirëqenie për qytetarët , koeficienti i dytë, kthimi i rritjes ekonomike të pesë viteve të fundit në mirëqenie për qytetarët. Ky studim faktoi se modeli ynë ekonomik funksionoi në mënyrën më të shkëlqyer dhe se ndoshta është i vetmi model  liberal, i cili ia doli të bëjë shpërndarjen më të mirë në botë në të ardhurat për qytetarët shqiptarë. Ky studim tregoi se kjo është në meritën tuaj që votuat reformë pas reforme, që bëtë të mundur konsolidimin e këtij modeli. Ky studim tregoi se Shqipëria renditet e katërta për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët e saj. Renditet e katërta, sepse Shqipëria në 6 vite, si asnjë vend tjetër, ka dyfishuar rrogat dhe pensionet dhe i keni votuar ju në këtë parlament. Renditet e katërta, sepse Shqipëria si asnjë vend tjetër ka dyfishuar investimet  në arsim dhe trefishuar numrin e studenteve, se ia ka dalë në 6 vite të ketë përqindjen më të lartë të rekrutimit të nxënësve që mbarojnë shkollën e detyrueshme të kalojnë në shkollat e mesme. Ia ka dalë në 6 vite të ketë një nga rekrutimet më të larta në Europë dhe në Botë  të maturantëve në universitet e vendit. Ky studim klasifikon Shqipërinë si vendin që lë prapa 146 vende të planetit, sepse Shqipëria në një hark kohor të shkurtër ka investuar në rrugët, rrugicat e qyteteve dhe fshatrave të vendit  duke asfaltuar  10 mijë kilometra rrugë dhe më shumë. Ky studim rendit Shqipërinë të katërtën,  për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie  të qytetarëve të saj, sepse  Shqipëria këto vite ka bërë që 96 për qind e qytetarëve të saj të marrin ujë rubinete, sepse Shqipëria  këto vite ka bërë hapa gjigand të zhvillimit të energjisë së rinovueshme.  Sot në Shqipëri  ndërtohen hidrocentrale më shumë se në gjithë rajonin të marra sëbashku. Ky studim dëshmon se në Shqipëri të ardhurat dhe rritja ekonomike  kthehet në mirësi dhe mirëqenie  për qytetarët, sepse në Shqipëri, krijimi i klimës së biznesit ka bërë që investimet e huaja në rast se janë pakësuar 37 për qind në botë janë rritur  316 për qind në Shqipëri. Ky studim lartëson Shqipërinë në vendin e katërt  në botë  për rritjen e mirëqenies për qytetarët,  sepse Shqipëria ka krijuar një mjedis punësimi dhe krijimesh vendesh pune më të mirë, se çdo vend tjetër në Rajon dhe është i vetmi  vend i Rajonit ku papunësia ulet në mënyrë progresive ndërkohë që në vendet e tjera dyfishohej. 

Këto  janë reformat që ju mbështetët dhe shkoni krenarë para çdo zgjedhësi dhe unë jam i bindur se, do të gjeni  zgjedhës në vështirësi, sepse sot përsëri ka zgjedhës në varfëri , ka zgjedhës në mjerim, ka zgjedhës të papunë, por  nuk ka mjedis më shpresëdhënës sesa ky  që dëshmon se kjo qeveri  e modeleve më liberale mbi tokë, ka përkujdesjen më maksimale për shpërndarjen e të ardhurave dhe të rritjes ekonomike në favor të qytetarëve shqiptarë dhe  të shoqërisë shqiptare.

Ky studim fakton luftën pa kompromis kundër  korrupsionit që ka bërë dhe bën kjo mazhorancë. Mbajeni ju statistikën e faqezive të korruptuar, por statistika e vërtetë  e  51 treguesve të zhvillimit të këtij vendi,  tregon se Shqipëria është ngjitur në ato lartësi që nuk ka qenë kurrë.

Zonja dhe zotërinj

Është e mjerë që ai krah që pretendon për socializëm dhe që në fakt  kur qe në pushtet ndërtoi kleptokracinë më të madhe në historinë e Europës , nuk votoi asnjë prej këtyre ligjeve ,të cilat bënë të mundur ngjitjen e Shqipërisë në një vend të paimagjinueshëm më parë. Lexoni censusin, reflekton qartësisht studimin.  Më gjeni një vend tjetër, i cili në një hark kohor kaq të shkurtër të ketë ndërtuar shtëpi dhe banesa për 1 mijë banorë më shumë se çdo komb tjetër europian  në 30 vite dhe të lënë para. Lexoni statistikën europian të banesave  dhe gjeni  5 kombe të zhvilluara që në banesa për një mijë banorë  janë parapa shqiptarëve. Mos mohoni realitetin, mos i mohoni këto, sepse këto në radhë të parë janë vepër e qytetarëve shqiptarë nuk janë vepër e Sali Berishës primarisht. Sali Berisha është një shërbëtor. Parlamenti  është një shërbëtor i këtyre qytetarëve , ata janë njerëzit e lumenjve të djersës, suksesit, sakrificës. Nëse i injoroni atëherë ndërtoni gjithçka  mbi nihilizmin, mbi mohimin, mbi përjashtimin . Çfarë ju mbetet  ju pastaj të nderuar opozitarë? Ju mbetet hiçi, po nuk uroj këtë.

Ky vit të dashur deputetë ka pasur një seri seancash, por njëra prej tyre do të përcillet vit pas viti deri  në 200 vjetorin e pavarësisë së këtij vendi. Ishte seanca kur këtu u ulën familjarë, pasardhës direket të firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë. Parlamenti i nderoi ata burra dhe gra, të cilët si shpërblim i veprës së ndritur të paraardhësve  të tyre kishin përjetuar persekutimin, shmangien, skajimin. Parlamenti u ngrit në atë seancë në lartësinë më të mëdha të 100 vjetorit nderoi  ata burra dhe gra, nderoi firmëtarët e Pavarësisë, ajo seancë solemne me një prani mbarë kombëtare. Ajo ishte një kurorë e mrekullueshme në ballin e Shqipërisë 100 vjeçare.

100 vjetori ishte fati ynë i madh i të gjithë shqiptarëve, që u gjetën, që rastisën, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që duhet të nderonin shekullin e Pavarësisë. Mendoj se u bënë përpjekje të mëdha, përpjekje, të cilat kanë bërë që kombi shqiptarë kurrë më, nuk do të jetë ai që ishte para 100 vjetorit të Pavarësisë së këtij vendi.  Shqiptarët dëshmuan se ideali udhëheqës i tyre është ideali i bashkimit kombëtarë. Ndaj dhe ju bëj thirrje, të nderuar deputetë pa asnjë tendencë politike, jashtë çdo politizimi, sepse ideali kombëtar është ideali suprem të bëjmë gjithçka për të çuar përpara këtë proces në kuadrin e integrimit të kombit tonë në Europë.  Shqiptarët ditët e 100 vjetori faktuan dhe ata vërshuan në të katër  anët jo vetëm të trojeve etnike shqiptare, por nga të katër anët e planetit nga Alaska, nga Afrika  e Jugut nga të gjitha vendet, vërshuan për tu krenuar, për të festuar 100 vjetorin e Shqipërisë, 100 vjetorin e Pavarësisë së këtij vendi, pa të cilin nuk do të mund të kishte patur asnjë zhvillim tjetër pozitiv për shqiptarët nëpër botë, pa të cilin fara jonë nuk kishte të ardhme, është e domosdoshme që ky mesazh të lexohet dhe me guxim jashtë çdo lloj remineshence dhe atavizme të shkuar parlamenti të miratojë rezolutën dhe të marrë vendime historike për platformën të bashkohemi njëri me tjetrin të bashkohemi me Europën.

Zonja dhe zotërinj deputetë

Duhet të ngrihemi mbi veten , sigurisht jo për fajin tonë, se nuk jam njëri që i largoj fajet, por ne kemi trashëguar nga e shkuara jonë, më së shumti e hidhur sesa  e lumtur po t’ia hedhim sytë, ndasira të ndryshme. Ndasira  të shumëllojta, të cilat fatmirësisht në momente kritike nuk kanë qenë ato mur bllokimi për ngadhënjimin e idealit kombëtarë. Jo. Ideali i Bashkimit Kombëtar nuk ka ngadhënjyer  për forca madhore për arsye të superfuqive dhe të fuqive të kohës, të cilat fatkeqësisht i shihnin shqiptarë dhe trojet shqiptare, si plaçkë tregu dhe i bënë një dënim kapital kombit kur e cilësuan se shqiptarët mund të ishin një shprehje gjeografike, por shqiptarët e ndryshuan historinë dhe dua të theksoj këtu, se pavarësish nga konsideratat e  ndryshme që mund të shprehen për ata në 100 vite, çdo gjë e kanë fituar me gjak.  Kjo është e vërteta më e madhe e tyre, janë sot me mijëra familje shqiptare në Kosovës në Maqedoni ,që mbajnë në shtëpitë  e tyre rrobat e njomura me gjak të fëmijëve të vet, që ranë për liri, askush si ka në Europë këto . Ne i kemi, u desh që të ngrohemi dhe të luftojmë, luftuam, por neve na përket detyra të ngrihemi mbi këto ndasira mbi krahinalizma, mbi të gjitha sepse ne jetojmë të lirë sot. Le të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen një aty ku janë.

Unë e kuptoj opozitën në një pikë plotësisht. Çështja e zgjedhjeve është interesi i të gjithë shqiptarëve, që ato të jenë të përsosura  në  Shqipëri. Dhe këtu absolutisht jam plotësisht dakord që të mos pranohet asnjë lloj interference, por përveç kësaj, ne duhet të ulemi, të përcaktojmë rregulla  të pranueshme nga të gjithë dhe tu japim mundësi shqiptarëve kudo që janë të ndihen në një komb dhe ju garantoj ju se në këtë mënyrë roli i tyre ne paqen, stabilitetin, zhvillim jo vetëm në Shqipëri por edhe të Rajonit do të jete shumë më i madh dhe me i suksesshëm.

E mbyll fjalën time me një urim shumë të përzemërt, së pari për zgjedhësit shqiptarë kudo që janë. Ata janë deputetët, parlamentarët, ministrat e  kryeministrat e vërtete të Shqipërisë.

Gëzuar Vitin e  Ri!

Faleminderit dhe fitore në 2013!


27/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›