Kryeministri Berisha: Ky vit ka qenë viti i përpjekjeve të mëdha dhe i guximit të jashtëzakonshëm
Në mjediset e vilës 31, kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, përcolli për bashkëpunëtorët dhe miqtë, si dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë urimet më të përzemërta për një vit të ri, të mbarë dhe të suksesshëm në qeverisjen e vendit.
Kryeministri iu shprehu të pranishmëve dhe nëpërmjet tyre të gjithë punonjësve të administratës mirënjohjen dhe vlerësimin për punën e përkushtuar dhe mbështetjen dhënë qeverisë në përmbushjen me sukses të detyrimeve të saj.
Kryeministri bëri një bilanc të arritjeve më kryesore në disa sektorë të rëndësishëm duke konkluduar se viti që po mbyllet, ka dëshmuar progresin e pandërprerë të Shqipërisë në të gjitha fushat, si dhe suksesin e padiskutueshëm të reformave të ndërmarra në të gjithë jetën e vendit.
Me besimin se viti që vjen do të jetë më i mbarë dhe më i begatë për të gjithë shqiptarët, kryeministri premtoi se qeveria do të punojë pa u lodhur për për të renditur Shqipërinë krahas vendeve të zhvilluara të Evropës.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj të shpreh një mirënjohje shumë të thellë ju, zotërinj ministra, zv/ministra, këshilltarë, bashkëshorteve tuaja, të gjithë bashkëpunëtorëve tuaj, punonjësve të administratës sonë që me përkushtimin e tyre, mbështetjen e tyre kanë bërë të mundur që sot të mblidhemi këtu së bashku, tu përcjellim qytetarëve shqiptarë urimin tonë më të përzemërt dhe ti garantojmë se do të bëjmë gjithçka për një vit tjetër edhe më të mirë, mbi bazën e këtyre arritjeve serioze të shënuara gjatë vitit që lëmë pas.
Ky vit nuk ka qenë i lehtë dhe vitet në kohë krize globale dhe krize evropiane nuk mund të jenë vite të lehta. Por ky vit përsëri ka dëshmuar progresin e pandërprerë të Shqipërisë në të gjitha fushat. Ky vit ka dëshmuar suksesin e padiskutueshëm të reformave të ndërmarra në të gjithë jetën e vendit, në të gjitha fushat. Natyrisht, më së pari dhe për një vend të lirë, si për çdo vend të lirë, e para është ekonomia, sepse ajo lidhet më shumë se çdo gjë tjetër me mirëqenien e qytetarëve. Në këtë kontekst, ekonomia shqiptarë falë reformave të mëdha të ndërmarra, përsëri mbylli vitin me rritje të qartë ekonomike dhe nuk u gjunjëzua nga kriza.
Por unë kam një lajm shumë të veçantë sot për ju dhe për mbarë shqiptarët. Në një studim, në një analizë e bërë nga një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, analizë e zhvillimit të 140 vendeve të planetit, tregon se ne kemi qenë persistentë në programin tonë të zemrës së dhimbsur dhe të fytyrës njerëzore. Sot është një kohë në të cilën e vërteta e pamohueshme është që vendet e pasura varfërohen, vende apo tregje emergjente shkojnë drejt mëkëmbjes së vazhdueshme. Në këtë proces tërësia e reformave nuk mund të ketë qëllim më fisnik, nuk mund të ketë qëllim më madhor se mirëqenia e qytetarëve. Ky grup ka nxjerrë dy koeficiente, koeficientin e shndërrimit të pasurisë në mirëqenie, koeficientin e shndërrimit të rritjes në mirëqenie. Njëra është pasuria ekzistuese, tjetra ajo që krijohet në rritje. Ky grup i Bostonit gjen se në përpjekjen e saj për të shndërruar pasurinë në mirëqenie Shqipëria renditet e 19-ta në planet. Ky grup analizon 51 treguesit më kryesorë të zhvillimit. Ky grup analizon këta tregues në të gjithë kohën, por kryesisht në pesë vitet e fundit. Në qoftë se Shqipëria shënon një pikavarazh prej 44.1 përqind e shtrirë në tërësinë e saj, në pesë vitet e fundit, Shqipëria ngjitet në 97. 8 përqind. Ka vetëm një vend në botë që merr pikë më shumë se Shqipëria në pesë vitet e fundit dhe ky është Brazili. Grupi të gjithë treguesit i analizon në një këndvështrim, këndvështrimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, i zhvillimit të qëndrueshëm. Ky jo vetëm gjen Shqipërinë një vend të orientuar tërësisht në rritjen ekonomike të qëndrueshme, por gjen Shqipërinë një nga katër vendet më të mira në botë për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët.
Po të kthehemi dhe të analizojmë të gjithë përpjekjen tonë, ata 51 tregues janë secili që prek në lëkurë qytetarin e vendit, janë të ardhurat. Asnjë vend nuk ka rritur rroga dhe pensionet sic i ka rritur Shqipëria. Është përmirësimi i infrastrukturës dhe asnjë vend tjetër, ndoshta, në 5-6 vite nuk ka ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë në mënyrë që të lehtësojë jetën e qytetarëve. Është furnizimi me ujë. Është përmirësimi i arsimit dhe asnjë vend tjetër nuk ka trefishuar numrin e studentëve siç ka trefishuar Shqipëria në një hark kohor gjashtëvjeçar. Matet dhe është tregues, sigurisht, aksesi në shërbimin shëndetësor. Shqipëria renditet e treta në Evropë për aksesin më të lehtë të mundshëm në shërbimin shëndetësor. Unë mora disa nga treguesit, por këto janë 51 tregues, të cilët ky grup konculence me statistikat që ka marrë nga institucionet më serioze ndërkombëtare në analizën e tij rendit Shqipërinë në shndërrimin e rritjes ekonomike, 5 vitet e fundit, në mirëqenie për qytetarët në katër vendet e para në botë, renditje në të cilat është Zvicra, Brazili, Zelanda e Re dhe Shqipëria.
U ndala në këtë arritje sepse kjo përbën për ne, të cilët e kemi pasur qëllim më madhor, një arritje shumë të madhe. Ne mund të themi se në përpjekjen tonë që pasurinë dhe rritjen ta shndërrojmë në mirëqenie për qytetarët, ky përbën suksesin më të madh. Unë duke theksuar këtë jam i vetëdijshëm se në Shqipëri sot ka pak qytetarë që jetojnë në varfëri, jetojnë në skamje, janë të atakuar nga sëmundje, jetojnë në mjerim, por e vërteta është se nuk ka asgjë më shpresëdhënese për këta qytetarë dhe shoqërinë shqiptare sesa ky zhvillim që Shqipërinë, e cila ishte tërësisht e pallogaritur pak vite më parë ta renditin në krye të vendeve me shndërrimin më të lartë të rritjes ekonomike dhe pasurisë në mirëqenie për qytetarët e saj. C’ka do të thotë që programi ynë për vitin që vjen do të ketë përsëri këtë qëllim dhe vetëm këtë qëllim.
Ky ka qenë një vit i vështirë, por përsëri ka qenë një vit i përpjekjeve të mëdha dhe i guximit të jashtëzakonshëm. Ne votuam në parlament buxhetin më të madh në historinë e vendit. Çdo vit ne jemi përballë me një agresion, normal, opozitar me buxhetin tonë, por e vërteta është se cdo vit ne e kemi realizuar buxhetin dhe kemi kontrolluar në mënyrën më serioze, më të vendosur, më mirë se kushdo tjetër borxhin publik. Kemi kontrolluar atë jo në mënyrë mekanike, por sepse investimet dhe projekte tona kanë qenë që të gjitha rentabël dhe kanë dhënë shpërblimin pas investimit. Këtë vit ne vendosëm në një akt të guximshëm, por do ta quaja jashtëzakonisht të rëndësishëm hapin e dytë më të madh, pas vendosjes së taksës së sheshtë, heqjen e TVSH për të gjitha makineritë e të gjitha bizneseve. Kjo është nxitja më e madhe që mund t’i bënim ne prodhimit në Shqipëri. Kjo është nxitja më e madhe që mund ti bënim ne punësimit në Shqipëri. Ne kemi besim të madh se me këto reforma dhe të tjera që do të ndërmarrim, sërish mekanizmi ekonomik, modeli ekonomik i vendit tonë do të konsolidohet edhe më tej si një model suksesi i vërtetë.
Zonja e zotërinj,
Këtë vit falë reformave të ndërmarra ne si qeveria ia dolëm të meritojmë rekomandimin për statusin e vendit kandidat nga Komisioni Europian, institucion ky që punon më ngushtësisht se kushdo tjetër me të gjitha ministritë dhe agjencitë e këtij vendi për shqyrtimin e kërkesave të tij. Statusi nuk u mor, sepse në mënyrën më të pamerituar për vendin kreu i opozitës vendos të mos votojë tre ligje në parlamentin shqiptar dhe nuk i jep mundësi vendit për të marrë statusin. Natyrisht kjo është një gjë shumë e rëndë, por, përsëri, demokracia është një proces për tu mësuar. Dhe ne duhet të kemi durim, duhet të kemi besim se në meritën e saj është se në mënyrë periodike i jepet mundësinë sovranit të japë verdiktin e vet. Ne shkojmë drejt zgjedhjeve dhe do të bëjmë gjithçka si qeveri për të bërë detyrat tona për një proces zgjedhor të lirë e dinjitoz për qytetarët shqiptarë.
Unë jam i bindur se ata me votën e tyre do të votojnë për të ardhmen dhe do të rrëzojnë murin e bllokimit të rrugës së tyre evropiane. Reformat kanë përfshirë të gjitha fushat dhe kanë rezultatet e tyre. Le ti hedhim një sy sot tregjeve të vendit. Tregu ushqimor kurrë nuk ka qenë më i pasur, më i konsoliduar me prodhime vendi. Ne do të bëjmë gjithçka që të nxisim në çdo skaj të vendit, prodhimet bujqësore shqiptare në mënyrë që të përballohet në një mënyrë ose në një tjetër rritja e këtyre çmimeve nga importet bujqësore.
Ne do të bëjmë gjithçka të qëndrojmë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, energjinë e rinovueshme. Asnjë vend tjetër nuk regjistron një veprimtari intensive se sa rregjistron Shqipëria sot në ndërtimin e HEC-ve, histori kjo e tëra 4-5 vjeçare pasi 30 vite me rradhë nuk kishte ndërtuar qoftë edhe një HEC të vetëm. Shqipëria është në pragun e fillimit vitin e ardhshëm, të dy projekteve madhorë, projektit të Kaskadës së Devollit dhe gazsjellësit Transadriatik, projekte të cilat e rendisin Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara të Evropës dhe të botës.
Pra janë bërë përpjekje të mëdha, të suksesshme. Këtë vit ne patëm fat dhe kremtuam 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe u përpoqëm me të gjitha mënyrat dhe potencialin tonë që të nderohet vendi në këtë 100 vjetor. Shqiptarët e kremtuan më me dinjitet dhe më të bashkuar, e kremtuan më fuqishëm dhe më bukur se kurrë festën e pavarësisë së Shqipërisë, si festën e tyre dhe jam i bindur se kjo energji pozitive do të shtyjë përpara procesin e bashkimit njëri me tjetrin, bashkimit me Evropën.
Nuk do të zgjatem më shumë, por dhe njëherë do të shpreh falënderimin tim më të përzemërt dhe urimin tim më të mirë për një vit të ri plot shëndet sukses, mbarësi, në ekipet, të gjithë bashkëpunëtorët tuaj.
Gëzuar!
28/12/2012