Projektligji, Berisha: Deputetët, jo më makina shtetërore
TIRANË- Makina me targa zyrtare do të kenë vetëm një kategori e caktuar e funksionarëve të lartë. Vendimi është marrë sot nga Këshilli i Ministrave, i cili miratoi projektligjin "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë."
Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë nismë të re të qeverisë, vlerësoi se projektligji vendos standarde të reja në shërbimin e transportit të zyrtarëve dhe funksionarëve të shtetit.
"Ky ligj lejon që të kenë në dispozicion automjet me targë zyrtare vetëm drejtuesit e institucioneve kushtetuese, ministrat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Drejtori i Përgjithshëm të Policisë, Drejtori i Shërbimit Informativ. Ligji nuk u jep të drejtën e targës zyrtare asnjë zyrtari tjetër për transportin e tij"- tha Berisha.
Madje sipas tij, edhe në këtë grup ka dy propozime. I pari, që të drejtën e përdorimit të automjeteve jashtë zyre ia jep Presidentit, Kryetarit të Parlamentit dhe Kryeministrit dhe jo zyrtarëve të tjerë.
I dyti, që t'u lejohet targa zyrtare dhe t'u njihet e drejta e përdorimit jo zyrtar të automjetit, bëhet fjalë për fundjavat, me kushtin që duke filluar nga Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri duhet të depozitojnë në llogarinë e institucionit 50 mijë lekë në vit për karburantin. Kjo në rast se duan ta përdorin automjetin në kohën jashtëzyrtare.
Gjithashtu, të drejtën e targës zyrtare do ta ketë edhe kryetari i opozitës, i cili në shumë vende në trajtimin zyrtar barazohet me një ministër, si dhe kryetari i bashkisë së qytetit, pasi bashkia e kryeqytetit në Kushtetutë është e veçantë.
Berisha ka deklaruar se abuziviteti me këto praktika ka bërë që në institucione të ndryshme të shpenzohen nga 12 mijë dollarë në vit në 67 mijë dollarë për shoferët. Ky ligj, sipas tij i jep përgjigje përfundimtare dhe vendos një standard të qytetëruar europian, për të cilin vendi ka nevojë jetike. Përveçse kursehen së paku mbi 30 milion dollarë në vit, vendoset një normë me vlerë qindra milion dollarë.
Kategoria e parë
Lidhur më zyrtarët e tjerë, në kategorinë e parë, me targë jo zyrtare janë vlerësuar deputetet e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarët e bashkive të mëdha të qarqeve. Këtyre zyrtarëve u jepet për transportin një bonus 45 mijë lekë, ku përfshihet amortizimi, karburanti. Sipas vendimit, parlamentit duhet t'i lihet fleksibilitet që të mund të respektojë distancën, pasi nuk mund të jetë e njëjtë Tirana me Gjirokastrën, apo Tropojën e Kukësin. Në këtë grup hyjnë dhe kryetarët e bashkive të mëdha, pasi edhe ata janë të votuar bindshëm.
Kategoria e dytë
Për kategorinë e dytë të zyrtarëve bonusi është 35 mijë lekë dhe këtu përfshihen zëvendësministrat, këshilltarët e Presidentit, Parlamentit, Kryeministrit, drejtuesve të enteve rregullatore, komandantët e Forcave të Armatosura, zëvendësdrejtorët e Policisë dhe Shërbimit Informativ, kryetari i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Akademisë së Shkencave, rektorët e universiteteve, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të shkallës së parë dhe të Apelit.
Kategoria e tretë
Bonusi për kategorinë e tretë është 30 mijë lekë dhe përfshin kryetaret e bashkive të tjera, drejtuesit e agjencive si ajo e pronave etj..
Zyrtarët e tjerë trajtohen me 200 mijë lekë, të cilët kanë pasur veturë më tepër për traditë.