Projektligji, drejtorët e shkollave në testim
Anilejda Shëmbitraku
Në projektligjin e ri për arsimin parauniversitar është përcaktuar se funksionin e drejtorit të institucionit arsimor e ushtron personi që ka fituar certifikatën e drejtorit të institucionit përkatës arsimor përmes provimit të kualifikimit që organizohet nga Ministria. Trajnimi i kandidatëve për drejtor zhvillohet nga agjenci trajnuese, programet e të cilave janë akredituar nga një organizëm në varësi të Ministrisë (Komiteti i Akreditimit). Në projektligj theksohet se drejtori i një institucioni arsimor është autoriteti drejtues i tij dhe ka për mision të drejtojë veprimtarinë e institucionit me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit arsimor për të gjithë nxënësit, në përputhje me këtë ligj, me aktet nënligjore të nxjerra nga Ministri dhe me synimet e institucionit.
Detyrat
Drejtori i një institucioni arsimor ka për detyrë: Të sigurojë zbatimin në institucion të këtij ligji, të akteve nënligjore të tij dhe të çdo akti tjetër ligjor ose nënligjor që ka të bëjë me mbarëvajtjen e institucionit; të respektojë standardet e drejtorit të institucionit përkatës arsimor; të drejtojë hartimin dhe zbatimin e planit afatmesëm dhe vjetor të institucionit në bashkëpunim me bordin e shkollës, këshillin pedagogjik, prindër, njësinë arsimore vendore dhe njësinë bazë të qeverisjes vendore, si dhe me pjesëtarë të tjerë të komunitetit; të sigurojë vlerësimin e herëpashershëm të arritjeve të nxënësve; të drejtojë vetëvlerësimin e herëpashershëm të institucionit arsimor dhe t’u kërkojë punonjësve të institucionit të vetëvlerësojnë rregullisht punën e tyre; të drejtojë këshillin pedagogjik; të nxitë dhe të sigurojë zhvillimin profesional të punonjësve të institucionit arsimor; të kryejë vlerësimin vjetor të punës së punonjësve arsimorë të institucionit sipas kritereve të përcaktuara me akte nënligjore të nxjerra nga ministri.
Shkarkimi
Drejtori i institucionit arsimor publik përzgjidhet me konkurrim të hapur dhe ka mandat pesëvjeçar të përsëritshëm. Ai emërohet nga drejtori i njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve të përzgjedhur nga një komision i përbërë nga përfaqësues të grupeve të interesit. Kriteret për drejtor, procedurat e përzgjedhjes dhe të emërimit si dhe përbërja e komisionit përcaktohen nga ministri me akte nënligjore, pasi merret paraprakisht mendimi i KKAP-së. Drejtuesi i njësisë arsimore vendore përkatëse shqyrton mundësinë e lirimit të drejtorit të shkollës publike nga detyra kur: a) nga pyetësorët e vlerësimit me nxënësit ose prindërit del se ka nivel të lartë të pakënaqësisë nga gjendja në shkollë; b) arritjet e nxënësve në provimet e arsimit bazë ose të maturës shtetërore për dy vite të njëpasnjëshme janë në 10% e fundit në renditjen e shkollave në nivel kombëtar; c) nuk janë përmbushur objektivat e planit vjetor të shkollës për dy vite të njëpasnjëshme, Drejtuesi i njësisë arsimore vendore përkatëse liron nga detyra drejtorin e institucionit arsimor publik pa përfunduar mandatin për shkelje në përmbushjen e detyrës. Kuptimi i shkeljeve caktohet me akte nënligjore të nxjerra nga ministri.
Zgjedhja e drejtorëve të shkollave
"Drejtori i institucionit arsimor publik përzgjidhet me konkurrim të hapur dhe ka mandat pesëvjeçar të përsëritshëm. Ai emërohet nga drejtori i njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve të përzgjedhur nga një komision i përbërë nga përfaqësues të grupeve të interesit", - thuhet në projektligjin për arsimin parauniversitar. Sipas tij, kriteret për drejtor, procedurat e përzgjedhjes dhe të emërimit si dhe përbërja e komisionit përcaktohen nga ministri me akte nënligjore, pasi merret paraprakisht mendimi i KKAP-së. Drejtuesi i njësisë arsimore vendore përkatëse shqyrton mundësinë e lirimit të drejtorit të shkollës publike nga detyra, kur ka pakënaqësi nga nxënësit dhe arritjet e tyre në provimet e arsimit bazë ose të maturës shtetërore për dy vite të njëpasnjëshme janë në 10% e fundit në renditjen e shkollave në nivel kombëtar.
Ligjërohen ndryshimet për Maturën 2011
Hiqet sezoni i vjeshtës për të gjithë mbetësit. Koha e provimit për lëndë të detyruara do të jetë një orë e gjysmë
Ndryshimet e bëra në Maturën Shtetërore janë ligjëruar pas publikimit në Fletoren Zyrtare pak ditë më parë. Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, vitin e ardhshëm maturantët pritet t`u nënshtrohen rregullave më të rrepta për të fituar një të drejtë studimi në universitetet shqiptare. Risia e maturës për vitin 2011 do të jetë se maturantët, nëse nuk marrin dhe provimet me zgjedhje, krahas atyre të detyruara, nuk kanë mbaruar shkollën e mesme. Ndërkohë që ata nuk do të kenë një shans të dytë, ashtu si më parë në sezonin e vjeshtës, për t’i marrë këto provime, por duhet të presin vitin tjetër për t`i dhënë ato. Sipas ministrit të Arsimit, për provimet e Maturës do të ketë më pak kohë gjatë zhvillimit të tyre. Tashmë është vendosur që për maturën e vitit 2011 koha e provimit për lëndë të detyruara të jetë një orë e gjysmë dhe koha e provimit për lëndët me zgjedhje të jetë tri orë. Të rejat e tjera të Maturës Shtetërore 2011 do të jenë shtimi i qendrave të vlerësimit, ndërkohë që është përsosur sistemi i këshillimit të karrierës. Maturantët që kanë përfunduar shkollën një vit më parë, në bazë të Rregullores së Maturës Shtetërore, mund të kandidonin për t`u bërë pjesë e shkollës së lartë pa iu nënshtruar provimeve me zgjedhje nëse i kanë dhënë ato më parë. Dhënia e provimeve të lëndëve me zgjedhje do të bëhet sipas preferencës së çdo nxënësi që ka përfunduar shkollën e mesme një vit apo disa vite me parë. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore për vitin 2010, provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.
21 Dhjetor 2010