Dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara

Në prag të festave të fundvitit mjaft dhurata dhe një ambient i ngrohtë është përgatitur veçanërisht, por fëmijët me aftësi të kufizuar. Kjo është mundësuar nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” dhe kompania e telefonisë celulare që operon në vend AMC. Presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, zonja Liri Berisha, u shpreh se festave të fundvitit, duhet t’i gëzohen të gjithë fëmijët të cilët në çdo moment do të marrin mbështetjen kryesore nga të gjitha strukturat e shtetit si dhe nga organizmat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. “Pavarësisht nga problemet që fëmijët kanë, të gjithë fëmijët duhet të gëzohen në festat e Vitit të Ri, në festat e Krishtlindjeve. Duhet të gëzohen fëmijët jetimë, duhet të gëzohen fëmijët e zonave të përmbytura, duhet të gëzohen fëmijët me probleme shëndetësore, duhet të gëzohen fëmijët e policëve të vrarë. Nuk duhet të mbetet fëmijë pa u gëzuar, qoftë me festa, qoftë me dhurata në këto festa të fundvitit”, - tha zonja Berisha.
Edhe përfaqësuesi i AMC-së në vendin tonë tha se kompania që ai përfaqëson do të jetë një mbështetëse kryesore për t’ju lehtësuar sadopak vështirësitë që hasin familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuar. Festa ka zgjatur për më shumë se një orë, gjatë së cilës u janë interpretuar dhe numra artistikë për këta fëmijë me probleme shëndetësore.