Projektligji i arsimit të lartë miratohet parimisht
Projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë ka kaluar dy ditë më parë në Komisionin e Arsimit. Ministri, e më pas rektorët e universiteteve publike, kanë folur e diskutuar pikëpamjet e tyre lidhur me ndryshimet që do të pësojë ligji, çfarë do të sjellë dhe cilat do të jenë pikat kryesore që do të kenë efekt përmirësues. Pavarësisht debateve e replikave, pyetjeve e përgjigjeve, anëtarët e komisionit, pas më shumë se tri orësh, kanë miratuar parimisht projektligjin për t’i lënë më pas radhën miratimit neneve një nga një në mbledhjen e ardhshme.
Diskutimi i ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë kanë më shumë se 2 muaj që diskutohen në qarqet akademike. Pas miratimit në qeveri dhe në parim në Komisionin e Arsimit, pritet që ai, pasi të kalojë nen për nen, të miratohet përfundimisht në Parlament. Deri në miratimin nen për nën është rënë dakord që mund të mirëpriten ndryshimet apo rregullimet e fundit që mund të përmirësojnë më tej draftin. Autonomia universitare, si dhe ciklet e studimit, janë pjesët që kanë pasur më shumë diskutime.
Po ashtu, testi i anglishtes TOEFL, për të gjithë pasuniversitarët, krijoi debat, sidomos në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
#