E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitou: Statusi dhe territori i Kosovës, të panegociueshme

Ambasadori francez shpreh optimizmin se opinioni i GJND-së do të ndikojë pozitivisht te pesë shtetet e BE-së

Dialogu që preferon Franca të zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, pas GJND-së, nuk ka të bëjë as me ndarjen, as me statusin, as për shkëmbim territoresh, i ka thënë ambasadori francez në Prishtinë, Jean-François Fitou, “Kohës Ditore”, në një intervistë të publikuar dje.
Katër ditë para shpalljes së opinionit këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës nga GJND-ja, ambasadori Fitou beson se ai do të jetë në favor të qytetarëve të saj. Duke paralajmëruar një fazë të re për Kosovën, atë të bisedimeve me Serbinë, Fitou ka bërë të ditura çështjet që assesi nuk hapen në këto negociata: ndryshimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve dhe statusi i Kosovës. Ai, megjithatë, thotë se Prishtina e Beogradi kanë një listë të gjatë të temave për të cilat mund të flasin, si për ekonominë, doganat, ujin, rrymën...
Ambasadori francez madje ka shprehur optimizmin e tij se opinioni i GJND-së do të ndikojë pozitivisht edhe te pesë shtetet anëtare të BE-së që ta ndryshojnë perceptimin për pavarësinë e Kosovës. Duke folur për zhvillimet në Kosovë, po ashtu Fitou ka thënë se beson që misioni i EULEX-it e ka marrë seriozisht luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ambasadori Fitou ka sqaruar edhe deklaratën e tij të dhënë ditë më parë, se veriu i Mitrovicës duhet të ketë një autonomi të fuqishme.
Ambasadori francez në Prishtinë ka rishpjeguar formulën e tij, të para pak ditëve, rreth zgjidhjes së problemit të veriut të Kosovës: “Nuk do të ketë ndarje, as ridefinim të statusit, por një autonomi të fuqishme, të fortë për veriun. Unë kam përdorur një lloj shprehjeje që nuk është përkthyer mirë as në gjuhën angleze, as në gjuhën shqipe. Kam dashur të them ashtu sikurse është propozuar në Planin e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës, në vendin tuaj ekzistojnë dy tipa të të drejtave, ajo për të gjithë qytetarët dhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Dhe këto lloj të drejtash për minoritetet në vendin tim i quajnë autonomi dhe kjo nuk do të thotë ndarje vendi. Kjo do të thotë që jetojmë në një vend dhe kemi të njëjtat të drejta sikur të gjithë qytetarët dhe garancitë e tjera si komunitete.
E për të sqaruar këtë dhe për të mos përdorur më fjalën që kam përdorur, do të përdor ‘decentralizim’, atë që kam dashur të them.

Unë nuk kam kërkuar asgjë. Ato që janë në Planin e Ahtisarit, ato ofrohen në Kushtetutën e Kosovës dhe janë garanci për të gjitha komunitetet e tjera në Kosovë, të cilat u mundësojnë minoriteteve të ndihen mirë në këtë vend. Për të qenë më konkret dua të theksoj se vendi im është i vendosur për pavarësinë e Kosovës me kufijtë aktualë. Nuk do të pranoj biseda për ndarjen e vendit tuaj, statusit dhe ndërrimit të kufijve dhe këto gjëra nuk janë në tavolinë. Vendi im është i vetëdijshëm se Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës kanë ofruar mjaft për komunitetin serb, ofrohet siguri dhe garanci që ata të ndihen mirë në Kosovë sikur të gjithë, por me një mënyrë të jetesës specifike. Vendi im e përshëndet hapjen e Kosovës, e cila ka thënë se pas GJND-së është gati për dialog me Serbinë”. 
I pyetur se për çfarë do të flasin Kosova dhe Serbia pas GJND-së, ambasadori Fitou u përgjigj se “ky dialog nuk ka të bëjë as me ndarjen, as për statusin, as për shkëmbim territoresh”, duke shtuar se Prishtina e Beogradi do të flasin për të gjitha gjërat e tjera, “si për shembull për energji elektrike, ujë, drejtësi, dogana, bashkëpunimin ndërkombëtar, për lirinë e serbëve të Kosovë, kthimin e refugjatëve, ekonominë, pra lista është e gjatë. Por përsëris se nuk do të ketë negociata për ndarje të Kosovës apo lëvizje kufijsh”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›