Vendi ku bankat sulmohen më shumë nga grabitësit
Italia është ndoshta shumë e njohur për bukuritë e saj, ushqimin dhe trashëgiminë kulturore. Ajo për të cilën pak vizitorë të saj kanë dijeni, është fama si vendi me numrin më të madh në Europë të vjedhjeve të bankave. Vitin e kaluar, sipas statistikave nga Unioni Italian i Bankave, FIBA, në Itali ndodhën për nga numri, gati gjysma e vjedhjeve të bankave në vendet e BE-së. Vitin e kaluar pati 1744 vjedhje, kjo shifër është gjashtë herë më e lartë se në Gjermani dhe 20 herë më e madhe sesa në Britaninë e Madhe. Vjedhësit e bankave arritën të merrnin së bashku 47 milionë dollarë. Megjithatë vjedhjet e bankave në Itali janë afera të vogla. Dy në tri vjedhje u sjellin mesatarisht autorëve të tyre më pak se 20 mijë dollarë dhe gjatë tyre përdoren më shumë thika, sesa armë zjarri. Në Itali papunësia është pranë nivelit 9 për qind dhe shpeshherë këto vjedhje bëhen edhe nga dëshpërimi. Në muajin maj, një nënë 41-vjeçare e la fëmijën e saj 7-muajsh në makinë kur shkoi për të vjedhur tri banka në Torino. Kur u arrestua, teksa përpiqej të vidhte bankën e katërt, ajo i tha policisë se duke qenë se ishte e papunë, e kishte shumë të vështirë t'ia dilte financiarisht.
#