Projektligji i bashkëpronësisë, Mazniku: Nivel i ri administrimi i hapësirave të përbashkëta

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Mirëadministrimi i hapësirave të përbashkëta dhe bashkëjetesa komunitare sipas standardeve europiane, janë në fokus të projektligjit të ri, që synon të rrisë përfshirjen e interesave të përbashkëta të qytetarëve dhe angazhimin e tyre për mirëmbajtjen dhe investime në dobi të komunitetit.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku takoi disa nga kryetarët e Bashkive të vendit si pjesë e procesit të diskutimeve dhe konsultimit për projektligjin e ri të bashkëpronësisë.
Gjatë prezantimit të projektligjit, Mazniku tha se bashkitë do të mbajnë një regjistër me të gjitha objektet që i kanë kryer apo jo ndërhyrjet e nevojshme për mirëmbajtje dhe do të kenë mundësinë të inspektojnë ndërtesat për të parë nëse janë zbatuar rregullat e administrimit.
Po ashtu bashkitë mund edhe të urdhërojnë subjektet që të përmbushin detyrimet për mirëmbajtje.
“Supozohet që duhet bërë lyerja e fasadës në një periudhë çdo 5,7,8 vjet. Në qoftë se kjo nuk është bërë, i jepet e drejta bashkisë që bashkia të thotë: Dëgjo, keni një vit kohë për ta bërë fasadën. Nëse nuk e bëni, do bëhet nga bashkia por në atë moment fatura i shkon secilit anëtar të bashkëpronësisë” – tha ministri Mazniku.
Përveç kësaj ky projektligj, sipas Maznikut, i jep bashkive të drejtën për të miratuar tarifë reference. “Tarifën e bashkëpronësisë e vendosin vetë banorët por ama bashkia ka të drejtën sipas një metodologjie, që do të përcaktohet me VKM më pas, të nxjerrë tarifa reference dhe këto mund të zbatohen në rastin kur banorët nuk arrijnë dot dakordësinë për tarifën”, tha ai.
Nga ana tjetër, ky ligj fuqizon rolin e administratorit të pallatit duke e pajisur atë me NIPT gjë që sipas ministrit do e bëjë më të lehtë mbledhjen e tarifës. “Ai ka të drejtën të pajiset me NIPT por nuk merr barrë fiskale, çka i jep mundësi administratorit të lëshojë fatura të fiskalizuara të cilat më pas janë fatura që njihen edhe si titull ekzekutiv dhe mund të ekzekutohen” – përfundoi ministri Mazniku.
Ky projektligj u mbështet nga shoqata për autonomi vendore dhe nga kryetarët e bashkive në takim, midis të cilëve, kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, tha se kjo nismë ligjore është e mirëpritur.
“Stoku i banesave, sidomos i banesave të vjetra që ka nevojë për ndërhyrje të llojeve të ndryshme, është shtuar shumë. Ky është një fakt i njohur nga të gjithë dhe sa më shpejt të gjendet një zgjidhje, aq më mirë do jetë. Kështu që si iniciativë legjislative është shumë e mirëpritur”, theksoi Mazniku. /j.p/
1 nga 5