E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndërron jetë i paraburgosuri italian pas arrestit kardiak në Spitalin Onkologjik

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Një shtetas italian, i paraburgosur, i transferuar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) Shkodër, ka ndërruar jetë sot në Spitalin Onkologjik “Nënë Tereza” në Tiranë pas një arresti kardiak.

Në një njoftim për shtyp Drejtoria e Burgjeve sqaron se “shtetasi italian Cristiano Trapani i datëlindjes 09.11.1960, lindur në Torrice dhe banues në Frosinone, Ceccano, Itali ishte shtruar më datë 28 tetor në Qendrën Spitalore të Burgjeve (QSB) me diagnozën: Limfadenopati për determinim”.

“Gjatë qëndrimit në QSB, ai iu nënshtrua të gjitha ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike të nevojshme. Pas konsultimeve me ekipin mjekësor, iu rekomandua ndërhyrje kirurgjikale për marrjen e biopsisë, e cila ishte planifikuar të kryhej në Spitalin Onkologjik”, theksohet në njoftim.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e kishte dënuar shtetasin italian me 8 vjet burg për veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Më tej Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte vendosur vlerësimin e ligjshëm të arrestit për veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal.

Trapani, 64 vjeç, mbante statusin e të paraburgosurit dhe ishte i transferuar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Shkodër.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›