E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji i dosjeve miratohet të hënën në Kuvend – kundërshtimet e socialistëve, të pamjaftueshme

TIRANE - Projektligji “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, i quajtur ndryshe ligji i dosjeve, do të shqyrtohet në Kuvend, në seancën plenare të së hënës.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se vendimi për kalimin në seancë të këtij ligji u kontestua nga përfaqësuesit e PS-së, me pretendimin se ai po vjen shpejt në Kuvend, gjë që nuk është aspak e vërtetë. “Ky është një nga ligjet më të arkivuara në këtë legjislaturë. Ai ka të paktën tre vjet në sirtarët e Komisionit të Ligjeve dhe është një ligj që pret trajtimin dhe mbylljen e këtij procesi”, nënvizoi Patozi.
Për sa u takon aludimeve të shumta mediatike se ky ligj synon të godasë prokurorët që kanë në dorë çështje të rëndësishme, Patozi e quajti këtë një pretendim absurd dhe keqpërdorim politik. “Ky është pretendim sa absurd po aq edhe keqpërdorimi sepse ligji i pastërtisë së figurave prek shumë nivele të administratës dhe është një ligj që fillon me Presidentin e republikës, majën e kreut të shtetit dhe përfundon me nivele të ulëta si drejtorët e shkollave të mesme. Tani në rast se ka pretendime për prokurorë, hetues, gjykatës, policë apo drejtorë drejtorish mua më duken shumë minore në raport me efektet e vërteta dhe serioze që do ketë ky ligj”, tha Patozi. Drafti “për hapjen e dosjeve” u miratua më 10 dhjetor nga Komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e mazhorancës. Ndërkohë, opozita e majtë nuk mori pjesë në këtë proces, duke e cilësuar projekt ligjin e paraqitur nga PD, si “të njëanshëm”.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›