“Gjyqi i vërtetë i demokristianëve do të provojë se ndotjet politike nuk kanë lidhje me PDK-në”
Reagon kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi
TIRANE - Partia Demokristiane deklaroi dje se dokumentet false të dorëzuara në gjykatën e Tiranës nga një grup i vetëquajtur si përfaqësues të saj, do të marrin përgjigjen e vërtetë gjatë procesit gjyqësor që pritet të zhvillohen më 23 dhjetor. Kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi deklaroi dje se gjyqi i vërtetë i demokristianëve shqiptarë, ku do tu provohet edhe ligjërisht “ndotjeve” politike se nuk kanë asnjë lidhje me PDK, do të zhvillohet më datën 23 dhjetor 2008 në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. “Aktualisht ne kemi depozituar në Gjykatë dosjen e plotë të regjistrimit, dhe jemi në pritje të vendimit, që do të përputhet plotësisht me vullnetin e shprehur në mënyrë të lirë dhe demokratike nga demokristianët shqiptarë”, tha ai.
Sipas kreut të PDK-së, në Gjykatën e Tiranës nëpërmjet gjyqtares Blerina Muça, vazhdon thellimi i falsifikimeve të bëra nga një grup uzurpatorësh, që morën përgjigjen e duhur politike në Kongresin e PDK më 6 maj.
“Megjithatë gjyqtarja Blerina Muça duke pranuar një palë dokumente false të depozituara nga ‘ndotjet’ politike dëshmoi se jo vetëm nuk njeh ligjet e këtij vendi, por në mënyrë flagrante shpërfill çdo provë dhe argument të dhënë në sallën e gjyqit. Edhe pse PDK përmes dy përfaqësuesve të saj ligjorë i ka bërë të njohur gjyqtares Muça se çdo veprim i saj bie në kundërshtim të hapur me ligjin, pasi ajo kishte gjykuar njëherë çështjen e demokristianëve dhe ne si PDK kishim ankimuar vendimin e përjashtimit nga gjykimi në Gjykatën e Apelit, sërish kjo nuk ka penguar këtë gjyqtare që të vazhdojë të pranojë dokumente të falsifikuara në kundërshtim të plotë me ligjet”, u shpreh kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi.
PDK i bën thirrje Presidentit të Republikës dhe KLD-së, që të analizojnë me kujdes këtë gjykim dhe njëherazi i kërkon ministrit të Drejtësisë që të marrë të gjitha masat e duhura administrative ndaj gjyqtarëve të tillë, që po mbajnë peng drejtësinë shqiptare.