E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji për legalizimet, konflikti në gjykatë nuk bllokon më procedurën administrative

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Qytetarët që kanë pasuri të përfshira në procesin e legalizimit pritet të përfitojnë procedura më të shpejta dhe zgjidhje për rastet që kanë mbetur të bllokuara prej vitesh për shkak të konflikteve gjyqësore.

Projektligji i ri “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” parashikon që një konflikt gjyqësor mes palëve të mos e ndalojë procedurën administrative të legalizimit. Kjo do të thotë se ASHK-ja mund të vijojë me legalizimin edhe kur palët janë në gjyq, ndërsa përcaktimi përfundimtar i pronarit do të bëhet në bazë të vendimit të formës së prerë të gjykatës.

Në praktikë, kjo synon të shmangë situatat kur një apartament apo njësi mbetet për vite pa u legalizuar vetëm për shkak të mosmarrëveshjeve mes ndërtuesit, investitorit, poseduesit dhe pronarit të truallit.

Një tjetër lehtësi për qytetarët është procedura e përshpejtuar. Kur në parcelën ku ndodhet një objekt pa leje ekziston leje zhvillimi ose ndërtimi, autoriteti i zhvillimit të territorit mund t’i kërkojë ASHK-së përfundimin e procedurës brenda 30 ditëve, kundrejt një tarife shtesë.

Kërkesa për procedurë të përshpejtuar mund të bëhet edhe në rastet kur qytetari nuk ka aplikuar më parë për legalizim. Në këtë situatë, ASHK-ja kryen verifikimin në terren dhe vijon me procedurën administrative.

Për qytetarët, ndryshimi synon kryesisht tre përfitime: më pak pritje për legalizimin, vijimin e procedurës edhe kur ka konflikt gjyqësor dhe një afat të përcaktuar prej 30 ditësh për rastet që plotësojnë kushtet e procedurës së përshpejtuar.

Projektligji parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për përcaktimin e përfituesit. Kur poseduesi ka kontratë me ndërtuesin ose investitorin, legalizimi bëhet në favor të tij. Në mungesë të një kontrate apo aktmarrëveshjeje, procedura kryhet në emër të subjektit ndërtues ose investitor, ndërsa në raste të caktuara, kur subjekti është shuar dhe nuk ka të drejta të regjistruara të palëve të treta, njësia mund të legalizohet në favor të shtetit.

Drafti synon gjithashtu të përshpejtojë përfundimin e proceseve të pronësisë dhe përcakton vitin 2028 si afat për përfundimin e procesit të legalizimeve.

Ndryshime parashikohen edhe për qytetarët që përballen me probleme me titujt e pronësisë. Në rastet kur ASHK-ja konstaton se një akt pronësie është i paligjshëm, ai mund të shfuqizohet ose anulohet brenda kushteve dhe afateve administrative. Kur prona është kaluar te një person i tretë ose kanë përfunduar afatet administrative, çështja do të zgjidhet nga gjykata.

Projektligji, i nxjerrë për konsultim, prek edhe tokën bujqësore, objektet pa titull dhe pronat e bashkësive fetare. Sipas relacionit, qëllimi është shkurtimi i procedurave dhe heqja e pengesave që kanë vonuar përfundimin e proceseve të pronësisë.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›