E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria synon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Pronës, bashkohen Kadastra dhe ATP-ja

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Qeveria po synon një riorganizim të institucioneve që administrojnë pronën në Shqipëri, përmes projektligjit “Për Agjencinë Shtetërore të Pronës”, i nxjerrë për konsultim publik.

Projektligji parashikon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Pronës (ASHP), përmes bashkimit dhe riorganizimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP). Agjencia e re do të përqendrojë në një institucion regjistrimin e pasurive të paluajtshme, administrimin e pronave shtetërore, si dhe trajtimin dhe kompensimin e ish-pronarëve.

Sipas draftit, ASHP do të jetë person juridik publik në varësi të Kryeministrit dhe do të organizohet në nivel qendror e vendor. Ajo do të përgjigjet për regjistrimin e pronave dhe të drejtave reale, përfundimin e proceseve të pronësisë, inventarizimin dhe transferimin e pronave shtetërore, si dhe administrimin e proceseve të kompensimit të ish-pronarëve.

Projektligji i jep një rol qendror certifikatës së pronësisë, e cila do të shërbejë si dokumenti unik që provon titullin, statusin ligjor dhe kufijtë e pasurisë. Parashikohet gjithashtu korrigjimi pa pagesë i gabimeve kadastrale kur ato janë shkaktuar nga vetë strukturat përgjegjëse.

Një tjetër synim është lehtësimi i procedurave për qytetarët, duke mos i detyruar ata të paraqesin dokumente që disponohen nga vetë Agjencia. Për shkeljet administrative, përfshirë vonesat, humbjen e dokumentacionit apo ndërhyrjet e paautorizuara në regjistrat kadastralë, parashikohen gjoba nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë.

ASHP do të drejtohet nga një Këshill Drejtues me nëntë anëtarë dhe një Drejtor i Përgjithshëm, i emëruar nga Kryeministri. Agjencia parashikohet të nisë aktivitetin jo më vonë se gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e ligjit.

Në thelb, projektligji synon centralizimin e administrimit të pronës, duke bashkuar në një strukturë të vetme funksionet e Kadastrës, trajtimit dhe kompensimit të ish-pronarëve dhe administrimit të pronave shtetërore.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›