100 vite të Ihsan Toptanit
- Babai im, - tha, - Vivian, punonte në ato hangarë me avionët dhe dërgonte nëpër prapavijë të frontit të Luftës së Dytë armë e ushqime për luftëtarët.
- Edhe në Shqipëri? - e pyes.
- Po, pa dyshim, që nga dyzeta.
- Daja im, - tha Margaret, - i priste dhe ua shpërndante shqiptarëve.
- Ka qenë daja yt në Shqipëri?! - e pyes me habi.
- Ai është atje! Në majë të kodrës, te Liqeni, mbuluar me mermerin e kuq të varrit të Enver Hoxhës. I bën shoqëri Ihsan Toptani, por në formën e grimcës së hirit, se ndonjë grimcë hiri e trupit të tij ka fluturuar nga Mali i Dajtit deri tek Artur Nikols patjetër...
Asgjë nuk marr vesh. As unë, as ime shoqe, as të dy djemtë. Margaret duket sikur flet me vete.
- Më 25 gusht Ihsani bën 100 vjet, do ta kujtoni? - më pyet Margaret.
Unë e njoh fare pak Ihsanin. E kam takuar njëherë vetëm, në Tiranë, në maj të 1994. Më solli të falat e Patricia Nugee-it dhe fotot magjike të saj të Kishës së Mborjes. Mbaj mend ta kem pyetur se si ishte BBC e kohës së tij me këtë tonën dhe se sa e paguanin anglezët. Mbaj mend mirë të mos më jetë përgjigjur drejtpërsëdrejti.
Tani e kuptoj psenë. Ishin dy kohë krejt të ndryshme.
I them Margaretës se do ta kujtojmë, por duam ndihmën e saj dhe të anglezëve të tjerë që e kanë njohur më mirë se ne. Ai gati tërë jetën e kaloi jashtë Shqipërisë. Margaret më premton se do të dërgonte diçka. Dhe ja çfarë më postoi:
“Lidhja e familjes time me Ihsan Toptanin është përmes dajës tim, Artur Nikolsit.
Në shkurt të 1944 Ihsani mori lajmin se një oficer britanik që ishte në shërbim të Drejtorisë së Operacioneve të Posaçme (SOE) ishte sëmurë seriozisht në malet sipër Tiranës. Ihsani shkoi me doktor Osmanin në kërkim të këtij oficeri, Artur Nikolsit, dhe e solli atë në Tiranën e okupuar nga gjermanët pikërisht në shtëpinë e tij në Valias. Dr. Osmani dhe Dr. Ndroqi e operuan në të dy këmbët e gangrenizuara, por, si pasojë e gjendjes së vështirë që kishte kaluar, Artur Nikolsi vdiq më 11 shkurt 1944.
Ihsani i dërgoi një raport të plotë autoriteteve britanike për ditët e fundit të Artur Nikolsit dhe se si ai ishte varrosur nga njerëzit e Ihsanit në një hambar pranë shtëpisë së tij. Ihsani vazhdoi t’i ofronte ndihmë anëtarëve të tjerë të misionit në Shqipëri, paçka se kjo përbënte një rrezik të konsiderueshëm për të.
Atij iu desh të largohej nga vendi i tij në tetor të 1944 dhe të kalonte ca kohë në Itali para se të vinte në Londër. Atje ai punoi për BBC në seksionin shqip, derisa doli në pension në 1967, kur seksioni shqip u mbyll. Ai e shpenzoi pjesën tjetër të jetës në Londër.
Ne nuk dinim gjë se ku ndodhej Ihsani deri në 1989, edhe pse kishim dashur gjithmonë ta takonim dhe ta falënderonim atë për mirësinë e tij, si dhe kurajën që tregoi duke ndihmuar Artur Nikolsin. Kur e takuam, ai i tregoi gjithçka vajzës se Arturit, Xhenit dhe mamasë sime, Elizabetës, që ishte motra e Arturit.
Ne u prekëm shumë duke dëgjuar hollësirat nga ai. Por në atë kohë ai nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me trupin e Arturit pas lufte. Përgjatë viteve në vazhdim mundëm të mblidhnim së bashku copëzat e historisë së dy varrimeve të tjera të Arturit, si dhe të krijimit të një varreze të trupave britanike në parkun e Liqenit të Tiranës. Rruga që të çon në këto varreza mban emrin e Artur Nikolsit, njeriut tonë dhe kjo na lumturoi. Ne patëm gjithashtu mundësinë të mësojmë për jetën e Ihsanit: vitet e shkollimit të tij në Vjenë, për babain e tij me zë, Abdi Toptanin, për përpjekjet e tij për t’i bashkuar njerëzit, si dhe në veçanti rolin që luajti duke u munduar të sillte se bashku partitë e ndryshme në mbledhjen e Mukjes në gusht të 1943.
Prej 1989 vajza e Arturit, Xheni dhe unë, takoheshim me Ihsanin rregullisht. Ai u bë mik shumë i shtrenjtë. Dhe, kur ai takoi për herë të parë mbesën e tij Gajda Mema, që erdhi nga Tirana fill pas ’90, ne u bëmë miq edhe me të dhe familjen e saj.
Ihsani ishte një burrë i jashtëzakonshëm, me shumë interesa. Ai fliste disa gjuhë në mënyrë të rrjedhshme dhe deri afër vdekjes ishte i interesuar për çështjet ndërkombëtare.
Ai ndiqte nga afër çka ndodhte në Shqipëri dhe si tani kujtoj sa i lumtur ishte, kur mundi ta vizitojë vendin sërish në 1994. Devotshmëria ndaj atdheut ishte e vazhdueshme, edhe pse ai nuk binte dakord me situatën politike. Ihsani ishte një figurë madhore dhe e respektuar e Shoqatës Anglo-Shqiptare në Britani.
Njohuria e tij për kompjuterët ishte e hatashme dhe ai ishte i interesuar në shumë fusha të shkencës. Bisedat me të ishin gjithnjë shumë stimuluese.
Ihsani vdiq në moshën 93-vjeçare pas pesë vitesh i sëmurë me kancer. Pas shumë kohe në spital për të u kujdes në shtëpi mbesa e tij, Gajda. Ai e duroi sëmundjen me kurajë dhe dinjitet, por mërzitej nga fakti që nuk mund të bënte më çka ai donte.
Kur ai vdiq, Gajda më kërkoi që të merresha me përgatitjen e funeralit. Pati shumë anëtarë të komunitetit shqiptar në Londër. Arkivoli i tij ishte i mbështjellë me flamurin shqiptar dhe Pavli Qesku mbajti fjalimin. Më parë Ihsani më kish kërkuar mua të bëhesha zbatuesja e testamentit të tij bashkë me Denis Solt që kishte punuar me Ihsanin në BBC.
Kështu, në mënyrë kuptimplotë unë pata mundësi të ndihmoja Ihsanin afër vdekjes së tij në Londër dhe të merresha me funeralin e tij, 57 vjet pasi ai kishte bërë kaq shumë për dajën tim pranë vdekjes së tij në Tiranë.
Ne kemi kaq shumë kujtime nga një burrë që na mësoi kaq shumë për Shqipërinë e tij të dashur.”
Margaret Bryer
7 gusht 2008, Malvern
Margaret m’i dërgoi këto rreshta bashkë me fotot e një feste.
- Po kjo foto me tortë çne? - e pyes.
- Ihsani, - tha ajo, - më kish thënë se nuk e kish festuar ditëlindjen e tij asnjëherë dhe unë me Gajdën e ruajtëm 90-vjetorin e tij për ta bërë tortën e ditëlindjes së tij të parë në jetë në shtëpinë motrës time...
Tani kujtoj Pavli Qeskun të më ketë thënë, kur Ihsani ishte gjallë, se ai kish vendosur të kthehej përgjithmonë në Shqipëri, sapo të mbushte 100 vjet. Pavli, sa kohë ishte ambasadori ynë në Londër, por edhe më pas, deri në ditën e varrimit të Ihsanit, ishte mik i mirë i tij. Ai i tha këto fjalë:
“Kush e njohu Ihsanin dhe nuk e respektoi.
Kush e pati mik dhe nuk e nderoi.
Madje, dhe kush e pati kundërshtar e nuk i qëndroi larg me respekt.
Sa më shpesh shiheshim, aq më tepër ia vlerësoja mendimet, pjekurinë, forcën e arsyetimit dhe gjykimin e shëndoshë. Kam parasysh Ihsanin si njeriun mendimtar të pavarur që vuri në lëvizje një mekanizëm të vështirë të pajtimit të forcave politike shqiptare në Luftën e Dytë, organizatorin e mbledhjes së Mukjes. Njeriun që kishte dalë përmbi interesat e ngushta të klasës së vet latifondiste dhe që një jete të tërë ia kushtoi me sa mundi të mirës së vendit.
Sa herë përmendej fati i shqiptarëve në Ballkan, Ihsani më dilte po më atë naltësi mendimi e përkushtimi si në kohën e Mukjes, pa ndryshuar kurrë, vazhdimisht po ai njeri me bindje të thellë dhe guxim për të shprehë pikëpamjen e vet të palëkundshme. Unë e njoha në moshë të shtyeme dhe nganjëherë druhesha mos e lodhja me diskutime të gjata, por ndrojtja ime ishte pavend. Mosha nuk ishte pengesë. As dallimi i moshave.
U diplomue për shkencat shoqërore- politike dhe krejt natyrshëm ndiqte zhvillimet në këto fusha në të gjithë botën. I interesonte veçanërisht Ballkani me trazitë e herëpashershme, por kjo s’e pengonte të jepte mendime e të bënte parashikime për krizat e ardhshme në Lindjen e Mesme, për çështjen izraelite- arabe. Sa ishte i mprehtë në zbërthimin e politikave të fuqive të mëdha, po aq dinte të fliste për prejardhjen e fjalëve shqipe. E reja në shkencë e tërhiqte. Nuk ngurroi të ndërronte makinën mekanike të shkrimit me kompjuterin. Pastaj, kompjuterin e brezit të vjetër me atë të brezit të ri. Interneti, posta elektronike e skaneri, diktofoni i lidhur me programe kompjuteri ishin mjete pune për të në moshën 90-vjeçare, njëlloj si për të riun e shekullit të 21.
Me mendje të hapun prej studiuesi dhe etje për të renë lexonte njëlloj me endje sa histori, aq edhe biologji, rrëmonte në misteret e funksionimit të trurit njëlloj si ndër arkivat e ngjarjeve të shkueme.
Sa shkruante me penë të fortë për çashtjen e Kosovës në vitin e krizës së madhe të 1999, aq i interesonte edhe filozofia dhe historia e njerëzimit.
Ihsani u shkollue në Austri, një pjesë të mirë të jetës së tij e kaloi në Evropë dhe ma sa shumti në Angli, veç unë e njofta si shqiptar pa paragjykime, me një shqiptari të kullueme që se preku kurrë ndonjë ndjenjë sado e hollë shoviniste, si një shqiptar me një përkushtim të pakushtëzuem.
Kur fliste për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, kur përmende gjendjen e Çamërisë dhe të arvanitasve, nuk kishte si të mos ndjehej në fjalët e tij zemërimi që Enver Hoxha me shokë ia shitën Kosovën Titos, që çështja e Çamërisë mbet e varrosun për gjithë 50-vjeçarin e sundimit hoxhist.
Në mendjen time Ihsani mbetet mishërimi i shqiptarit derëhapët e të sjellë, i mendjes së lirë nga prangat e ideologjive, i njeriut me shpirt të madh që e deshi vendin dhe popullin e vet ashtu siç ishte, në të gjitha kohët.”
Pavli Qesku,
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Londër
Kur i thashë Pavlit në Upton Park se i kisha dhënë fjalën Margaretës se do ta nderonim 100-vjetorin e Ihsan Toptanit si fondacion me emrin e Patricia Nugee-it ai u përmall. Tishin e ka pasë shumë mike. “Nderojeni, se nderoni veten!” - tha dhe më tregoi vendimin e Ihsanit:
“Kur të mbush 100 vjetët dhe në qoftë se populli i ka përdorur ato forca shpirtërore dhe fizike, që e kanë bërë të mbijetojë me mijëra vjet, për të ruajtur identitetin kombëtar, do të kthehem për të kaluar në vendin e lindjes atë kohë që do të ketë mbetur.”
Ihsani erdhi në Shqipëri 7 vjet më parë, kur i kish 93 vjet, në formën e hirit që u shpërnda nga Gajda me të sajtë prej tarracës së malit të Dajtit fushës së Tiranës. Dhe unë nuk dija si t’i përgjigjesha atë çast Pavlit: I ka ruajtur populli ynë në këto vite ato forca shpirtërore që e bënë të mbijetojë në mijëra vjet?!
Me gjysmë zëri i them se... po.