E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët gjermanë: Ukës iu bllokua arma

Më shumë persona do të ishin vrarë nga 21-vjeçari Arid Uka nëse arma e tij nuk do të ishte bllokuar që në të shtënat e para. Lajmi bëhet i ditur nga mediat ndërkombëtare të cilat citojnë prokurorin gjerman Rainer Greisbaum i cili ka theksuar se arma e përdorur nga i dyshuari Arid Uka, për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, ishte bllokuar gjatë sulmit, duke parandaluar kështu edhe vrasje të tjera.
Sipas Griesbaum Arid Uka, u kishte thënë autoriteteve se ai kishte shkuar në aeroport në mënyrë specifike për t`i vrarë amerikanët si “hakmarrje për misionin amerikan në Afganistan”.

“Kur ai e ka parë autobusin me 15 persona të armatosur, të parkuar jashtë Terminalit 2, ai i është afruar një personi të armatosur dhe, nën pretekstin e kërkimit të duhanit, ka pyetur nëse të armatosurit ishin në rrugën e tyre për në Afganistan.
“Kur ushtari tha po, ai e qëlloi atë nga prapa në kokë”, tha Griesbaum.

“Arid Uka pastaj shkoi drejt autobusit duke brohoritur “Zoti është i Madh” dhe qëlloi shoferin, tha prokurori Griesbaum.

“Pastaj, ai qëlloi një ushtar 25 vjeçar dhe një tjetër 21 vjeçar, duke i plagosur që të dy, tha Rainer Griesbaum dhe shtoi se “ai e mbështeti revolen në kokën e tij dhe e tërhoqi këmbëzen dy herë, por revolja u ndal dhe nuk pati të shtëna”.

Megjithëse mendohej se në revole ishin edhe gjashtë plumba, bllokimi i saj i parandaloi të shtënat e tjera dhe Arid Uka iku nga autobusi.

Por, ushtari i fundit, ndaj të cilit Uka provoi të qëllonte, u dha në ndjekje ndaj Ukës në terminalin e aeroportit, së bashku me dy policë federalë gjermanë dhe e kapën atë.

Sipas prokurorit Arid Uka ishte i armatosur edhe me dy thika.

Agjencia AP raporton se autoritetet e Gjermanisë besojnë se Uka ishte radikalizuar aktualisht dhe kishte vepruar vetëm, por prokurori Griesbaum tha se incidenti tregon se ekziston rreziku serioz, edhe nëse ekstremistët nuk janë pjesë e rrjetit radikal.

“Kjo nënvizon rrezikun nga islamistët, që veprojnë vetëm”, tha Griesbaum.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›