E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: 25 vjet burg "ushtarit" të Altin Dardhës

Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës ta shpallë fajtor Kasemin, për veprën penale të vrasjes. Vetë i pandehuri nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën. 

TIRANE- Gëzim Kasemi, i vetmi nga anëtarët e bandës famëkeqe të Altin Dardhës, i cili ka mundur të mbijetojë, rrezikon të dënohet me çerek shekulli burg. Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës ta shpallë fajtor Kasemin, për veprën penale të vrasjes dhe ta dënojë me 25 vjet burg. Vetë i pandehuri nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën, duke u shprehur se nuk ka qenë anëtar i asnjë bande. Por, gjatë shqyrtimit gjyqësor Prokuroria ka sjellë prova dhe fakte që vërtetojnë autorësinë e Kasemit në ngjarjen e 25 shkurtit 1998, pranë stadiumit të qytetit, vetëm pak metra larg nga dera e Drejtorisë së Policisë Berat. Sipas Prokurorisë, Altin Dardha së bashku me disa persona të tjerë, mes tyre dhe Gëzim Kasemin, qëlloi ndaj djemve të fisit Tomorri për t'u hakmarrë, pasi i bënte përgjegjës për vrasjen e të atit. Burhan Tomorri, Abdyrrahim Tomorri, Behar Eskiu dhe Kastriot Bejko mbetën të vdekur në vend, ndërsa Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti u plagosën, por për fat të mirë i shpëtuan vdekjes. Teksa po largoheshin, Dardha dhe "ushtarët" e tij vranë një të moshuar dhe morën peng një oficer policie. Për këtë ngjarje, Gëzim Kasemi është dënuar me 23 vjet, por çështja u kthye për rigjykim. Kasemi është ekstraduar nga Italia pak kohë më parë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›