E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 40 ditë burg për Ajdin Sejdinë

Gazeta Shqip

U kap në Morinë me pasaportë të rregullt kosovare, me gjeneralitete Avni Sejdia

Ajdin Sejdia ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Emiratet e Bashkuara për mashtrim bankar

Sejdia, pasi bëri shtatë vjet burg në Zvicër, më pas arriti të fitojë lirinë


hajdin sejdiaProkuroria e Kukësit do të kërkojë masën e arrestit 40 ditë burg për biznesmenin Ajdin Sejdia, pasi dyshohet se ka kryer mashtrim bankar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai u kap ditën e hënë në doganën e Morinës, teksa po hynte në shtetin shqiptar. Në doganë, paraqiti pasaportën kosovare me gjeneralitetet Avni Sejdia, ndërsa pas verifikimit paraprak rezulton se dokumenti ishte i rregullt. Megjithatë, agjentët e policisë kanë verifikuar edhe listën e Interpolit, ku Sejdia ishte me kartelë të kuqe, me akuzën e mashtrimit bankar në Emiratet. Policia vendosi arrestin paraprak dhe njoftoi prokurorinë për veprimet e mëtejshme. Ndërkohë, burimet nga Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare pohuan se ndaj Ajdin Sejdisë ka një urdhër arresti, ndërsa pohon se kanë kontakte me drejtësinë e shtetit arab për dosjen e plotë, e cila pritet të mbërrijë në ditët në vijim.

 

Kërkesa e prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar me shpejtësi në akuzën e Kukësit të gjitha materialet hetimore në ngarkim të Ajdin Sejdisë, ku është urdhri ndërkombëtar i arrestit. Materiali pritet që të plotësohet në ditët në vijim. Kemi marrë kontakte me drejtësinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, ku na kanë servirur se kanë një urdhër arresti për Ajdin Sejdinë, me akuzën e mashtrimit bankar. Ata kanë pasur informacione se ky person, që hiqej si biznesmen, ka pasur tregti me këtë vend, ndërsa nuk na kanë servirur të tjera dokumente. Gjithashtu, ata kanë pasur të dhëna se ai fshihej në Kosovë, vendlindjen e tij, ku shpeshherë vizitonte edhe Shqipërinë, ku kishte krijuar edhe një aktivitet tregtar, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, arrestimi është bërë me urdhër të akuzës qendrore, e cila ka njoftuar për lëvizjet e Sejdisë në Shqipëri, madje edhe me emër të ndryshuar.

 

Emri i ndryshuar

Një nga verifikimet e para të policisë dhe prokurorisë, pas arrestimit, ka qenë saktësimi i emrit që ka paraqitur në doganë. Në doganën e Morinit, shtetasi në fjalë ka paraqitur pasaportën kosovare me emrin Avni Sejdia. Ndërkohë, pas insistimeve, ai ka pranuar se është Ajdin Sejdia, kjo edhe nga ngjashmëria në foto. Megjithatë, pas kontakteve të drejtpërdrejta me drejtësinë kosovare është arritur se pasaporta me emrin Avni Sejdia është e rregullt dhe është lëshuar nga autoritetet kosovare. Por, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë pasur marrëveshje me shtetin e Kosovës, duke qenë se është i ri, megjithëse e kanë njohur prej kohësh, pohojnë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se nuk mund të hetojnë për falsifikim dokumentesh. Akuza pohon se është në pritje të letërporosisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku mund të bëhet depërtimi në këtë shtet ose gjykimi në Shqipëri, për krimin e kryer në vendin arab. Gjithsesi, burimet saktësojnë se kanë marrë kontakt me këtë vend, dhe, afati kohor 40-ditor, është i nevojshëm që të mbërrijë edhe dosja e plotë, ku mund të vendoset edhe ekstradimi.

Shoqëria

Aplikoi në qershor 2012, METE e shpall fitues për zonën ekonomike afër Porto Romanos

Sejdia merr me koncesion parkun industrial në Durrës

ab-0871Pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës lajmëroi përmes Agjencisë së Prokurimit Publik se shoqëria Sky Master Projekt Holding sh.a, është shpallur fituese për të marrë me koncesion një park industrial në Durrës.

Oferta e paraqitur më datë 07.06.2012, për marrjen me koncesion të statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike, me statusin Park industrial të një territori në Spitallë, Durrës, është pranuar, bënte të ditur METE, në njoftimin e publikuar para disa ditësh. Zona e Spitallës (lagje e vjetër në Durrës) ndodhet shumë pranë Porto Romanos, e përfolur për rëndësinë që ka në fushën e hidrokarbureve, madje është përfshirë në disa hetime të prokurorisë, pasi dyshohej se disa subjekte kryenin pastrim parash.

METE i jep 30 ditë afat shoqërisë Sky Master për paraqitjen e disa dokumenteve, ku mes tyre një kopje të faturës për garancinë bankare, më pas procedura që do të ndiqet lidhet me negocimin dhe lidhjen e kontratës, afati i të cilës nuk bëhet i ditur.

Duke parë të dhënat në QKR, rezulton se shoqëria në fjalë zotëron 100 për qind nga Ajdin Sejdija dhe fusha e veprimit është e gjerë, duke u përqendruar në tregtimin e karburanteve, prodhim dhe transmetim të energjisë elektrike, ndërtim dhe projektim të objekteve të ndryshme civile, industriale dhe të infrastrukturës etj. Kjo shoqëri, thuhet në skedarët e QKR ka në fokus edhe sektorin e minierave, por më interesantja ka të bëjë me statusin e përfaqësimit për disa institucione financiare, si banka apo kompani sigurimesh. Duke kërkuar më tej, del se shoqëria e administruar nga Sejdia, me kapital 3.5 milionë lekë, është partnere e një grupi norvegjez të mbledhjes së kapitaleve financiare, por me emër Albania Invest.

Prokuroria, 40 ditë burg për Ajdin Sejdinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›