E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhelozia dhe ngacmimi, një i plagosur në Kamzë

Silvana Muça

Dallëndyshe Pitarka urdhërohet nga i shoqi dhe qëllon me tre plumba Nezir Bucin

Silvana Muça

Plagosja me arme (1) Plagosja me arme (2) Plagosja me arme (3) Plagosja me arme (4)

Një 33-vjeçare, pas urdhrit të të shoqit, ka qëlluar me armë zjarri ndaj komshinjve të tyre. Si pasojë, tre plumba kanë prekur Nezir Bucin, ndërsa objekti i sulmit ka qenë djali i tij, Adriatiku, i cili dyshohet se ngacmonte autoren e krimit, Dallëndyshe Pitarkën. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në zonën Kodër-Kamzë, në periferi të Tiranës, ndërsa policia e Tiranës pohon se ka arrestuar burrë e grua, Idriz dhe Dallëndyshe Pitarkën. Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të jetë kryer për motive xhelozie, pasi djali i të plagosurit, Adriatik Buci, dyshohet se mund të ketë ngacmuar bashkëshorten e Idriz Pitarkës, thuhet në njoftimin e policisë, ndërsa vajza e të plagosurit dhe motra e Adriatikut kanë hedhur poshtë këtë version, duke shtuar se ngjarja erdhi si pasojë e një mendjeje të sëmurë të Dallëndyshes. I plagosuri ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë, pasi ka marrë tre plumba në trup. Një patrullë e policisë ka ndërhyrë në kohë për të neutralizuar ngjarjen, ndërsa çifti është arrestuar në flagrancë.

Konflikti

Marrëdhëniet mes familjes Buci dhe Pitarka kanë qenë shumë të ngushta. Shtëpitë i kishin përballë me njëra-tjetrën. Sipas familjarëve të të lënduarit, konflikti mes dy familjeve dyshohet të ketë lindur për një 500 lekësh. Vajza e 55-vjeçarit, ka rrëfyer motivin e përplasjeve mes palëve. Para ca ditësh, vëllai im i kishte marrë Dallëndyshes një kartëmonedhë 5 mijë lekëshe. Tiku ia ka kthyer borxhin, por ajo nuk i ka treguar të shoqit. I ka thënë që im vëlla i kishte dhënë 5 mijë lekë dhe nuk e dinte arsyen. Idrizi ka kujtuar se mos Tiku i ngacmonte gruan dhe është bërë xheloz. Ai e ka urdhëruar që ta vrasë. Një ditë më parë, Dallëndyshja i ka shkuar tim vëllai te puna dhe janë zënë me fjalë. Sot (dje) në mëngjes i kishte shkuar përsëri me Idrizin, duke i thënë se do e vrisnin. Tiku në ato momente është larguar nga puna dhe ka marrë babin në telefon për ti treguar për sherrin. Babi ka ardhur për të qetësuar ngjarjen, por ka qenë e kotë. Fillimisht janë zënë me fjalë dhe më pas me grushte. Gjatë përleshjes, Dallëndyshja ka nxjerrë pistoletën nga çanta dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait. E ka shtyrë i shoqi që të vrasë vëllain. Babi i ka dalë përpara që ta mbronte. Madje ai i ka hequr edhe pistoletën nga dora. Plagët i ka shumë të thella dhe mjekët thonë se është në gjendje kritike. Ka marrë një plumb në gjoks dhe dy në pjesën e barkut. Ka humbur shumë gjak dhe nuk e di se çfarë do të bëjnë mjekët. Mes tim vëllai dhe Dallëndyshes nuk ka asgjë. Më vjen keq se ne e kemi mbajtur me bukë atë familje, po ajo femër nuk rrinte rehat. Ngatërrohej me lloj-lloj. Tiku e ka gruan e vet si yll dhe nuk kishte nevojë që të trazohej me atë lloj femre. Pastaj ne jemi edhe krushq me njëri-tjetrin dhe vëllai im nuk do ta bënte kurrë atë gjë. Ai sheh hallet e veta. Punon për të mbajtur familjen dhe fëmijët. Nuk i intereson asgjë tjetër, ka treguar ngjarjen Lena Buci.

Policia

Burime nga policia bëjnë me dije se Dallëndyshja ishte person mjaft i fiksuar pas telefonatave. Idrizi rrinte në Greqi dhe kishte pak kohë që ishte kthyer. Mungesa e bashkëshortit i lejonte që ajo të lidhte kontakte me shumë meshkuj, pavarësisht se nuk i takonte asnjëherë. Si pasojë e kësaj, bashkëshorti i 33-vjeçares bëhej xheloz. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me familjen Buci. Fillimisht kanë shkuar që të sqarohen për dyshimet që kishte Idriz Pitarka. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe janë përleshur mes tyre, deri në plagosjen e njërit prej pjesëtarëve të familjes Buci, pohojnë burimet nga policia, të cilat saktësojnë se të dhënat janë paraprake.

Dëshmitari: Si i shpëtova plumbit në një distancë të vogël

Xhevahiri është një prej dëshmitarëve okularë që ka parë të gjithë skemën e krimit. Në ato momente ai ka qenë duke qëndruar në automjet dhe krismat e pistoletës i tërheqin vëmendjen, duke i shpëtuar plumbit për mrekulli. Isha në makinë dhe papritmas dëgjoj disa krisma pistolete. Kthej kokën dhe çtë shoh. Një grua qëllonte në drejtimin nga isha kthyer unë. Ishim shumë afër, rreth një 1 metër. Dola me shpejtësi dhe u futa te një dyqan. Fatmirësisht nuk më kapi plumbi. Personi që ajo donte të qëllonte ishte para meje, por mungesa e përvojës e bënte të rrezikshëm për të gjithë kalimtarët. E pashë atë burrin të shtrirë për tokë dhe të larë me gjak. E mora me shpejtësi dhe e dërgova në Spitalin Ushtarak. I biri, gjatë gjithë rrugës, njoftonte të afërmit dhe qante pa pushim. I kërkonte ndjesë për atë që kishte ndodhur. I thoshte se e kishte marrë të atin në qafë, pasi plumbat ishin për atë dhe jo për të moshuarin. Nuk jam vetëm unë që desh rashë pre e plumbave të pistoletës, është shprehur dëshmitari okular, Xhevahiri. Personi tjetër që u ka shpëtuar mrekullisht plumbave ka qenë taksisti Hysni Doçi. Ai ka qenë duke qëndruar në këmbë, për të pritur pasagjerët. Plumbi i ka prekur pjesën e xhamit, në sediljen e parë. Doçi është shoqëruar nga policia në cilësinë e dëshmitarit.

Xhelozia dhe ngacmimi, një i plagosur në Kamzë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›