E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Bollano në hetim për lejet e ndërtimit

VLORË- Një tjetër akuzë rëndon tashmë mbi kryetarin e bashkisë së Himarës Vasil Bollano. Pas një procesi të gjatë hetimor, kryebashkiaku i shumëpërfolur, do të duhet të përballet së dyti në organet e drejtësisë, këtë herë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Lajmi bëhet me dije nga burime brenda prokurorisë së Vlorës. Sipas tyre nga ana e prokurorisë është dorëzuar dosja në gjykatë në ngarkim të kreut të bashkisë së Himarës.

Po të njëjtat burime sqarojnë se gjithçka ka nisur nga denoncimi i disa qytetarëve nga Himara për mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit. Nisja e hetimeve ka bërë që të kalojnë në sitën e verifikimeve shumë të tilla. Janë të paktën 5-6 raste sqarojnë këto burime ku ka shkelje, pas të cilave prokuroria ka formuluar akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Zv/prokurori Dorian Tafili konfirmon se tashmë dosja është dorëzuar pranë gjykatës së shkallës së parë, në pritje të nisjes së procesit.

Bollano u dënua në prill të këtij viti me gjashtë muaj burg dhe një gjobë prej 500 mijë lekë të reja. Gjykata e shkallës së parë e shpalli Bollanon fajtor për dhënien e urdhrave të kundërligjshëm në heqjen e tabelave përgjatë rrugës nacionale Llogora -Qeparo, ndërsa sanksionoi për të edhe masën e mos ushtrimit për tre vjet të funksioneve publike. Pas apelimit Bollanos do t'i duhet të rikthehet edhe një herë në gjykatën e shkallës së parë të rrethit Vlorë, për një tjetër dosje të hapur ndaj tij.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›