E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ceremoni për prokurorin Hana në Shtëpinë e Oficerëve

TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se do të organizojë ceremoninë e varrimit të prokurorit Xhevat Hana, në ambientet e Shtëpisë së Oficerëve, në Tiranë. Përmes një deklarate për mediat, Prokuroria e Përgjithshme nënvizoi se dita dhe ora e saktë e ceremonisë do të njoftohet sërish pasi të jetë saktësuar koha e saktë e mbërritjes së trupit të të ndjerit nga Italia në atdhe.

Ndërkohë Prokuroria vlerësoi figurën e prokurorit të ndjerë dhe shprehu ngushëllime për familjarët e tij.

“Ndarja e parakohshme është një humbje e madhe për familjen e tij por dhe për kolegët dhe miqtë e tij të shumtë të cilët kanë parë tek ai familjarin e mirë, njeriun korrekt e të përkushtuar ndaj punës, dinjitoz dhe i papërkulur. Xhevat Hana ishte imazhi më i mirë i prokurorit këmbëngulës që ka si mision ruajtjen e fuqizimin e shtetit, fanatik i zbatimit të ligjit gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë.”- thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Xhevat Hana, humbi jetën një ditë më parë në një spital në Itali, për shkak të një sëmundje të rëndë. Hana ka lindur në Librazhd më 28.03.1953, e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, në Sarandë në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vitet e fundit si prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.
Gjithashtu, Xhevat Hana në periudhën 2003–2005 ka qenë këshilltar juridik i Presidentit të Republikës, si dhe ndihmës/komisioner në Institucionin e Avokatit te Popullit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›