Prokuroria: Deklarata e Halimit, presion ndaj sistemit të drejtësisë

Pas deklaratës së Ministrit të Drejtësisë, z. Eduard Halimi mbi inspektimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me procedimin penal nr. 597 i vitit 13.02.2011, dhe letrës së datës 23/12/2011 që i ka dërguar Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi dhe Prokurores së Përgjithshme.znj. Ina Rama mbi përfundimet e këtij inspektimi, Prokuroria e Përgjithshme sqaron: “Çështja ndaj shtetasit Kostandin Xhuvani është ende në gjykim, pasi është në pritje për tu shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, ndaj është e pashpjegueshme që një titullar politik të ndërhyjë e të deklarohet pa u ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit. Ministri i Drejtësisë nuk është pjesë e gjykimit dhe për vendimin e një gjykate mund të shprehet vetëm një gjykatë e shkallës më të lartë. Në deklaratë atakohet organi i prokurorisë për mos respektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal, dhe kjo bëhet me fjalë të përgjithshme dhe jo duke marrë parasysh dispozitat konkrete të veprës penale dhe marzhin e dënimit që parashikohet për këto vepra, të cilat duke u analizuar me rrethanat e tjera që ndikojnë llojin dhe masën e dënimit, përcaktojnë dhe politikën e dënimit. Sidoqoftë, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, duhet të kujtojmë si opinionit publik ashtu edhe Ministrit të Drejtësisë, se i vetmi institucion kushtetues i cili kualifikon veprën penale për të cilën duhet të deklarohet fajtor, llojin dhe masën e dënimit të përshtatshme, është vetëm Gjykata. Kompetencën për drejtësinë e këtij vendimi apo fuqinë për ta ndryshuar atë e ka vetëm një gjykatë më e lartë, por kurrsesi një organ ekzekutiv”.
Më herët Halimi deklaroi se një politike penale qe kerkon vetem 2 vjet burgim, ndaj agresoreve te jetes se qytetareve eshte e papranueshme.
Pas përmbylljes së procesit gjyqësor ndaj Kostandin Xhuvanit, djalit të deputetes së PS Luiza Xhuvani gjykata vendosi një dënim prej vetëm 2 vitesh për veprën penale të vrasjes. Ky dënim i zbutur solli reagimin e minsitrisë së drejtësisë duke nisur një inspektim të dosjes penale, inspektim i cili mbyllet me raportin,i cili dënon ashpër politikën penale të ndjekur.