PDU, promemorie BE-së për zgjidhjen e çështjes çame
Në ditën e përvjetorit të miratimit të Konventës kundër Gjenocidit, Partia për Drejtësi dhe Unitet, e mbështetur nga Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Instituti i Studimeve Çame, i ka dërguar delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri një promemorie për zgjidhjen e plotë të çështjes çame. Në një komunikim për mediat, kreu i PDU-së, deputeti Shpëtim Idrizi, deklaroi se janë mbledhur faktet juridike dhe historike për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Një nismë e tillë e pamarrë më parë nga ndonjë grupim, synon zgjidhjen e çështjes çame. “Ky komunitet është krijuar prej largimit me forcë nga Greqia të të gjithë shqiptarëve, në veçanti atyre çamë, prej Luftës së Parë Botërore në disa valë, të cilat përfunduan plotësisht me masakrën e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Rreth 3000 të tjerë vdiqën rrugës nga uria, etja dhe vuajtjet, në rrugëtimin biblik drejt Shqipërisë. Për ketë gjenocid, ne kemi prova juridike dhe historike, kemi dëshmitarë okularë gjyshërit dhe prindërit tanë. Ata kanë parë me sytë e tyre t’u vriten e masakrohen të afërmit e tyre; ata kanë provuar direkt vuajtjet dhe persekutimet çnjerëzore. Ne nuk mund të harrojmë”, - tha Idrizi.
Promemoria
Në promemorien e dorëzuar në KE dhe që i është vendosur për dijeni të gjithë drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar si edhe të gjitha ambasadave të BE-së në Shqipëri, kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare njohjen e çështjes çame. Kjo promemorie kërkon pranimin publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij gjenocidi, dëmshpërblime për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi, mundësi për anëtarët e komunitetit çam për të vizituar tokat dhe varret e të parëve, ngritje e lapidareve apo monumenteve, që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqjen e memorialëve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame, restaurim të së drejtës së pronësisë, amendim të ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene, që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Këto nene bien në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kartës Universale të të Drejtave të Njeriut, që ndalojnë çdo lloj diskriminimi mbi bazën e kombësisë, realizimin e të drejtës së rikthimit në tokat e tyre të të gjithë atyre, që e duan një gjë të tillë, duke rifituar statusin e para-Luftës së Dytë Botërore, kompensim eventual të pronave të konfiskuara dhe pagim të gjithë detyrimeve ligjore nga shfrytëzimi i këtyre pronave, depozitave bankare, fabrikave, trojeve bujqësore apo për ndërtim, si dhe ndalimin e diskriminimit të vëllezërve çamë ortodoksë që jetojnë në trojet e tyre në Greqi dhe dhënien e të gjitha të drejtave si për çdo minoritet tjetër në përputhje me Konventat Ndërkombëtare për Minoritetet. “Marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Shqipërisë dhe Greqisë kalojnë nga një zgjidhje e drejtë e problemit çam. Nëse ne nuk do të shohim asnjë përparim në këtë drejtim, do të përshkallëzojmë protestën tonë me të gjitha mjetet demokratike, politike, juridike etj. deri në plotësimin e të gjithë të drejtave tona të ligjshme”, - përfundoi fjalën e tij kreu i PDU-së, deputeti Shpëtim Idrizi.
Ndarja e kufijve, tani edhe me Malin e Zi
Pas Greqisë, Shqipëria shumë shpejt do të ndajë kufijtë edhe me Malin e Zi.
Në pritje të shprehjes së Gjykatës Kushtetuese për paktin detar me Greqinë, Parlamenti do të votojë një tjetër marrëveshje kufitare, atë me Malin e Zi. Koordinatat me shtetin fqinj janë përcaktuar që në vitin 1926 nga komisioni ndërkombëtar, konventa kufitare në fuqi daton në 1956-n dhe është nënshkruar me Republikën Federale të Jugosllavisë. Por, shpallja e pavarësisë së Malit të Zi e bëri të nevojshme rishikimin e vijës, shtoji kësaj dhe faktin se që prej vitit 1994 pjesa më e madhe e piramidave kufitare janë zhdukur ose zhvendosur. Palët kanë rënë dakord për ngritjen e një komisioni të përbashkët, i cili do të merret me këtë punë dhe do të mblidhet çdo 3 vjet. Ndonëse marrëveshja shqiptaro-malazeze i qëndron besnike koordinatave të 1925-s dhe konsiston në rivendosjen e piramidave, ndryshime të vogla pritet të ndodhin në vijën kufitare ujore. Kjo, për shkak të veprimtarive natyrore në rrjedhën e lumenjve ose liqeneve. Marrëveshja mes dy qeverive u nënshkrua në nëntor në Podgoricë, ndërkohë që institucioni përgjegjës për zbatimin e saj do të jetë Ministria e Brendshme. Kufiri shqiptaro-malazez u vendos gjatë viteve 1922-1925 dhe u konfirmua në korrik të '26-s me Protokollin e Firences. Ndërkohë që u shënua në mënyrë te dukshme në vitet '54-'55.