E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Rekurs i dytë për Ndrea Prendin

Ndrea Prendi

TIRANE Gjykata e Lartë regjistroi dje një rekurs të dytë ndaj Ndrea Prendit, ish-kreut të Gardës, i akuzuar për vrasje. Edhe këtë radhë Prokuroria e Tiranës i kërkon gjykatës caktimin e masës arrest me burg për Prendin, të dyshuarin e akuzës si autorin e vrasjes së Faik Myrtajt në demonstratën e 21 janarit 2011 pranë Kryeministrisë. Bëhet fjalë për rekursin e Prokurorisë mbi vendimin e Gjykatës së Apelit, që la në fuqi masën e sigurisë arrest shtëpie për të dyshuarin Prendi. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës së Lartë. Sipas burimeve, në rolin e kërkuesit në rekursin e regjistruar është Prokuroria e Tiranës, ndërsa personi nën hetim, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi. Caktimin e masës së sigurimit, atë të arrestit në burg, thuhej në objektin e kërkesës së depozituar në Gjykatën e Lartë. Burimet sqaruan se ende nuk është përzgjedhur Kolegji Penal që do ta shqyrtojë këtë kërkesë. Përmes këtij rekursi, Prokuroria kundërshton vendimin e datës 8 shkurt 2012, i cili la në fuqi masën e sigurisë arrest shtëpie, vendosur më 25 janar 2012. Në anën tjetër, pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë u regjistrua rekursi i Prokurorisë për vendimin e Apelit, që nuk pranoi zëvendësimin e masës së sigurimit personal të Ndrea Prendit. Nga arrestimi i Ndrea Prendit, si i dyshuar për një nga vrasjet e 21 janarit 2011, Prokuroria ka kërkuar katër herë në Shkallën e Parë dhe të Dytë të Gjyqësorit kyçjen në qeli të tij. Në të gjitha rastet, kjo kërkesë e Prokurorisë është rrëzuar nga Gjykata.    ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›