Kosovë, arrestohen 4 serbë me materiale votimi. Thaçi: Nuk do lejojmë zgjedhjet serbe në vendin tonë

Në pikëkalimin Dheu i Bardhë, afër Konçulit, Policia e Kosovës ka arrestuar katër serbë, njoftojnë mediat serbe, duke cituar burime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Të arrestuar janë kryetari i Komunës së Vitisë Sreçko Spasic dhe punonjësit e administratës komunale Ivica Najkic dhe Aleksandër Stojilkovic. I arrestuari i katërt është Svetozar Nashkovic, polic i Departamentit të Policisë së Ferizajt”, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Tanjug”, zëvendësdrejtori i policisë së Serbisë, Branislav Mitrovic.
Ministria serbe për Kosovën ka bërë me dije se arrestimi i serbëve është bërë, “pasi tek ata është gjetur material votues dhe për shkak se janë punonjës të institucioneve serbe”. Kjo ministri ka kërkuar nga EULEX-i që të reagojë me urgjencë dhe që të arrestuarit të lirohen.
Nuk ka pasur reagime nga ana e institucioneve kosovare. Ditë më parë, Policia e Kosovës po ashtu ka arrestuar disa punonjës serbë të Postës dhe Telekomit të Serbisë, tek të cilët kanë konfiskuar material me përmbajte të dyshimtë tregtare.
Ndërsa një ditë më parë një numër i gazetave, si material propagandues “Srpske Novine”, janë identifikuar dhe sekuestruar në Vushtrri, pas ndalimit dhe kontrollit të një automjeti, ka njoftuar nëpërmjet një komunikate Policia e Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi
Pretendimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë do të dështojë. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë. Ai shprehu vendosmërinë e ekzekutivit që për çdo eventualitet të përdorë gjithë autoritetin Kushtetues për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Qeveria e Kosovës ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Kryeministri Thaçi tha se po punohet intensivisht me autoritetet ndërkombëtare që pretendimi i Serbisë për të mbajtur zgjedhje territorin e vendit tonë të dështojë.
Ndërkohë zëvëndëskryeministri dhe Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha pas mbledhjes së qeverisë se të gjithë ata që tentojnë të organizojnë zgjedhjet do të trajtohen për veprime ilegale sipas ligjit.
Duke komentuar arrestimin e katër serbëve nga Policia e Kosovës te Dheu i Bardhë për shkak të transportimit të materialit zgjedhor, Kuçi, theksoi se të gjithë janë të barabartë para ligjit si dhe përgëzoi policinë e Kosovës për siç tha veprimin e drejtë dhe të mirë.